Korporata e Investimeve sërish në Komision për shqyrtim, Ahmetaj kritik

Kundërshtimet nga biznesi bëhen shkak për rishqyrtimin e ligjit për Korporatën e Investimeve e cila parashikon kalimin e pronave shtetërore nën këtë institucion si një mundësi për të thithur investimet.

Komisioni i Ekonomisë shqyrtoi draftin i cili u shoqërua me kritika edhe nga institucionet ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore.

Elton Haxhi, zëvendësministër i Financave, sqaroi se paketa tashmë parashikon që të gjitha investimet e Korporatës do ti nënshtrohen ligjit të prokurimeve.

Haxhi: Janë përcaktuar dhe parimet e prokurimit. Kemi tre modele prokurimi të cilat janë parashikuar në projektligj. Nëse fondet janë nga buxheti i shtetit zbatohen rregullat e prokurimit publik. Nëse fondet janë nga donatorë të huaj zbatohen rregullat e donatorit.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, pati një sërë kritikash kundrejt Ministrisë dhe mënyrës sesi e ka sjellë draftin.

Ahmetaj: Drafti që ka ardhur me ndryshime nuk është draft ligjor.Në bazë të rregullores së Kuvendit, të firmosura nga autoritetet. Se e ardhur nga sekretarja e Ministres, ndryshimet…

Shembulli për këtë ligj sipas zëvendësministrit është marrë nga Jordania dhe Singapori, ku thuhet se ka pasur një efekt të ndjeshëm në thithjen e investimeve.

Kjo nismë vjen në një kohë që investimet e huaja kanë pësuar një ulje të ndjeshme gjatë tre muajve të fundit me rreth 13% nëse e krahasojmë me tre muajt e parë të këtij viti.

Gjatë periudhës prill-qershor, në Shqipëri hynë 248 milion euro investime. Nëse bëjmë një krahasim si 6 mujor, investimet e huaja kanë pësuar rritje.