Denoncimi i PD: Kandidati i Ramës, i dënuar në Itali për vjedhje makinash

Partia Demokratike deklaron se kandidati i kryesocialistit Edi Rama për Vaun e Dejës, Mark Babani, është i dënuar në Itali për vjedhje makinash. Nga foltorja e selise blu, Gazment Bardhi tha se Mark Babani është arrestuar më datë 4 Prill 1994 në zonën e Siçilisë me emrin e rremë Marq Babaj.

Mark Babani, me emrin e rremë Marq Babaj, është arrestuar më datë 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Siçilisë, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”. Ai është arrestuar nga Policia Italiane duke vjedhur makina. Kandidati i Edi Ramës për Vaun e Dejës ka qenë pjesë e një grupi kriminal që vepronte në zonën e Siçilisë dhe që kishte kryer disa vjedhje“,- tha Gazment Bardhi.

Po ashtu, ai deklaroi se Mark Babani është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit.

Gjithashtu, Mark Babani duhet të ndiqet penalisht për fallsifikimin e Formularit të Dekriminalizimit. Mark Babani është në dijeni të plotë të faktit se është një person me rekorde të shumëfishta kriminale. Mashtrimi i tij publik se nuk ka patur asnjëherë probleme me drejtësinë, provon se ai ka mbrojtjen e Edi Ramës. Me heshtjen e tij, Edi Rama provoi se është vërtetë ai mbrojtësi i Mark Babanit, me kandidimin e të cilit tregoi edhe njëherë se është i lidhur pazgjidhshmërisht me krimin“,- tha Gazment Bardhi.

Mark Babani, pas deklaratës së Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat u shpreh se do të padisë zyrtarin e Partisë Demokratike për shpifje. Ai tha se nuk ka asgjë të vërtetë në akuzat e opozitës në adresë të tij. “Ftoj PD-në që t’i drejtohet prokurorisë. Të gjitha akuzat e Partisë Demokratike janë të sajuar. E gjithë kjo histori është e sajuar dhe nuk ka lidhje me mua. Unë do t’i shkojë deri në fund kësaj situate për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë në vend dinjitetin tim. Mark Babani nuk ka asgjë për të fshehur”,- tha kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës.

Mark Babani është kandidati i tretë i PS në votimet e 30 qershorit që denoncohet nga PD për shkelje të ligjit të dekriminalizimit.

Më herët, PD ka denoncuar Valdrin Pjetrin në Shkodër dhe Agim Kajmakun në Vorë. Pjetri dha dorëheqjen pas daljes së dokumenteve se ishte ndaluar në Itali, ndërsa Agim Kajmaku pretendon se nuk ka bërë asnjë shkelje. Prokuroria ende nuk ka reaguar për Kajmakun dhe Babanin.

FOTO/DOKUMENTET E PUBLIKUARA NGA SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I PD, GAZMENT BARDHIP