Banorët e Levanit në protestë për ujin: Paguajmë taksa, ja si na shmang administrata

Me sa duket Tirana nuk është i vetmi vend i Shqipërisë që po qelbet për shkak të mungesës së ujit. Mëngjesin e sotshëm kanë qenë banorët e Levanit ata që janë ngritur në protestë dhe kanë kërkuar t’u vejë ujë në shtëpitë e tyre.

Ata kanë deklaruar se ditën e sotme puna në Njësinë Administrative të Levanit ka filluar në orën 7:00  për të shmangur protestën e banorëve. Protestuesit shprehen se i kanë bërë kërkesë bashkisë për bashkëbisedim me kryetarin, Armando Subashin.

Deri më tani nuk kanë pasur asnjë përgjigje, edhe pse problematika e tyre nuk është e re, por disa vjeçare. Ata deklarojnë se janë taksapagues të rregullt dhe kërkojnë të drejtën e tyre.

Njëri prej protestuesve shprehet:

Paguajmë edhe për shkollën taksë, edhe pse është shtetërore. Paguajmë taksë tokë e asnjë kanal i pastruar. Tvsh si në faturë te ujit edhe te dritave. Nga 2011 deri tani Levani është si i persekutuar. Të punësuarit në këtë njësi nuk janë nga Levani. Jemi fermerë, mbahemi nga toka dhe pensionet”.