Siguroni fëmijët në makina! Policia Rrugore merr masa të ashpra me fillimin e shkollës

Në prag të nisjes së sezonit të ri shkollor 2019 – 2020, Policia rrugore e Tiranës ka hartuar një plan veprimi për menaxhimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore pranë shkollave e institucioneve të tjera arsimore, si dhe kontrollin rigoroz të mënyrës së transportit të fëmijëve në moshë jo madhore kryesisht për ata deri ne12 vjeç, për të cilët Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë parashikon përdorimin e sistemeve të fiksimit me qëllim sigurimin e tyre dhe parandalimin e pasojave që mund të vijnë si rezultat i ngjarjeve rrugore.

Duke parë neglizhencën e përdoruesve të mjeteve në raport me rregullat e qarkullimit rrugor që parashikohen për pasagjerët deri në moshen 12 vjeç, si dhe faktin që ditët e para të shkollës shumica e prindërve apo të afërmëve, i dërgojnë fëmijët në shkollë me mjetet e tyre, rrugorët e kryeqytetit apelojnë për kujdes të shtuar . Në asnjë rrethanë nuk do ketë tolerancë për drejtuesit e mjeteve apo personat që janë ngarkuar me mbikqyrjen e fëmijëve që nuk i kanë siguruar këta të fundit, sipas parashikimeve të dispozitave ligjore në fuqi.