Shpopullimi, Vasili: Shqipëria në rrezik më të madh se në 1913-n, kur copëtoheshin kufijtë

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili ka reaguar sërish ditën e sotme lidhur me shqetësimin e ngritur më herët nga Presidenti Ilir Meta për rrezikun e shpopullimit me të cilën po haset vendi sot.

Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “facebook”, Vasili thekson se Shqipëria rrezikon të mbetet pa shqiptarë.

“15 shtator 2019 Shqipëria, që rrezikon të mbetet pa shqiptarë?!

Sot pas 30 vjetësh, në 15 shtator, në ditën botërore të demokracisë, në Shqipëri krimi shtetëror i telekomanduar nga oligarkia ka shndërruar në hiç pushtetin e votës së lirë.

Sot pluralizmi është varrosur nga paratë e qelbura oligarkike.

Sot një minorancë e paligjshme e inkriminuar dhe grabitqare ka rrëmbyer pushtetin e patjetërsueshem të votës së shumicës absolute të shqiptarëve.

Sot, në këtë 15 shtator, Shqipëria është përpara një rreziku shumë më të madh se 30 vite më parë.

Sot rreziku i shpërbërjes Kombëtare është shumë më i madh edhe se sa kur diskutoheshin kufijtë në vitin 1913, sepse Shqipëria po bie në greminën e një Shqipërie pa shqiptarë.

E keqja ka vetem një emër: varrosja e votës së lirë themeli universal i demokracisë.

Neni 21 (3) i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut thotë:

“Vullneti popullor është themeli i autoritetit qeveritar; ky vullnet duhet të shprehet përmes zgjedhjeve të rregullta dhe të vërteta, të kryera me votë universale dhe të barabartë, dhe me votim të fshehtë, ose sipas një procedure ekuivalente të votimit të lirë””, shprehet në reagimin e tij, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.