Presidenti Meta: Dhe unë jam më i vendosur se kurrë!

Statusit i kësaj të diele i presidentit Meta mbetet nga statuset apo fjalimet e tij më të forta në këto vite të fundit. Ilir Meta shkruan ndër të tjera:

Zhgënjimi është i madh. Jo ndaj demokracisë që sollëm në dhjetor ’90, por ndaj formës së shëmtuar që ajo mori në 30 vite. Shpopullimi dramatik i Shqipërisë dhe humbja e shpresës, veçanërisht tek brezi i ri, është treguesi më i dhimbshëm dhe fatkeq. Shikoni ku jemi sot: të fundit në rajon para dyerve të BE-së. Dhe ende askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi. Ka edhe më shumë thellim në paligjshmëri.

Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore.

Ndaj ne sot kemi një mision të përbashkët historik: Të shpëtojmë demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime!

Koha nuk pret!

Kjo është beteja jonë! E njerëzve të lirë, të ndershëm dhe punëtorë, e rinisë sonë të mrekullueshme! E të gjithëve ne që e duam me shpirt dhe zemër Shqipërinë! Dhe unë jam më i vendosur se kurrë!