Paundi, në rimëkëmbje/ Shpresat për Brexit me marrëveshje tranzitore nxisin valutën

Paundi britanik ka treguar  performancën më të mirë javore që prej muajit Maj, pas raportimeve se zbutja e qasjes së politikanëve ndaj Brexit po rrit shanset e një marrëveshjeje tranzitore me Bashkimin Europian.

Paundi pati rritjen më të madhe ndër valutat e G10 në sesionin e fundit tregtar të javës, ndërkohë që e përditshmja Times raportoi se Partia Unioniste Demokrate, një aleat i konservatorëve, do të pranojë marrëveshjen për të zëvëndësuar masën parandaluese me Irlandën e Veriut, që synon zbutjen e kufijëve brenda ishullit. Paundi, që ka përfituar edhe nga rënia e dollarit amerikan, vazhdoi rritjen edhe pasi anëtarët e partisë e hodhën poshtë lajmin.

Paundi u rrit me 1% në sesionin e fundit tregtar, duke prekur 1.2450 kundër dollarit, që është niveli më i lartë që prej 26 Korrikut. Paundi është rritur me thuajse 4% që prej datës 3 Shtator, ku preku edhe nivelin më të ulët në 3 vite.   Kundër euros, valuta u rrit me 0.6%, në 89.42 pensë.

Sipas analistëve të këmbimit valutor,  shqetësimet në lidhje me Brexit pa marrëveshje dhe recesionin ekonomik në Britani janë reduktuar së fundmi, duke i dhënë nxitje paundit.   Ngadalësimi i dollarit prej luftës tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, po nxit gjithashtu sterlinën.