Një pyetje e përbashkët për partitë aleate të PD

Kryetari i PD, Lulzim Basha, deputetet Dashamir Tahiri, Agron Duka dhe Fatmir Mediu, duke folur per gazetaret pas nje takimi me aleatet e Partise Demokratike, ku kane diskutuar garantimin e zgjedhjeve te lira dhe transparenca mbi financimin e partive./r/n/r/nLeader of the Democratic Party Lulzim Basha and lawmakers, Dashamir Tahiri, Agron Duka and Fatmir Mediu, after a meeting with Democratic Party allies, where they discussed guaranteeing free elections and transparency of party funding.

Pyetje: A keni informacion se po negociohet për një marrëveshje PS-PD? Dhe a jeni dakord vetëm për takim Basha-Rama apo takimi të jetë pozitë-opozitë?

Petrit Vasili, Nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim: “1.Nuk ka asnjë negociatë  asnjë marrëveshje dhe nuk ka asnjë kontakt PS -PD.

2.Opozita e bashkuar ka nënshkruar një marrëveshje politike, prandaj çdo komunikim përsa i takon opozitës do të jetë si opozitë, ndërsa pozita dihet që ka vetëm rilindjen dhe asnjë forcë tjetër politike”.

Mesila Doda, Sekretare e Përgjithshme e PDIU: “Nuk është në axhendë një marrëveshje e tillë që nuk i shërben vendit dhe i duhet vetëm politikës së Ramës që të vazhdojë të keqqeverisë i qetë me krimin dhe Rilindjen e korruptuar deri në palcë, i vetmi pakt që i duhet vendit janë zgjedhje të reja, e pa ndikime të krimit. Kjo është kryefjala e cilitdo qytetari normal, ndërsa politika e kulisave është e denjë vetëm për ato individë që kërkojnë të nxisin ndasitë sociale e të përzënë Shqiptarët nga ky vend …”.

Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane: “Nuk kam dijeni. Basha e ka deklaruar që s’ka asnjë negociatë. Mendoj që negociatat duhet të jenë pozitë opozite me praninë ndërkombëtare sa më shpejt. Se si do përfaqësohet opozita dhe kush janë qëndrimet e saj duhet të vendosim së bashku”.

Nard Ndoka, kryetar i Partisë Demokristiane: “Jam i sigurt se nuk ka negociata mes PS e PD, por thjesht lajme të prodhuara nga makineria e propagandës së rilindjes; për të demotivuar mbështetësit e opozitës dhe për të krijuar diversion mes koalicionit opozitar. Kërkesat tona janë të qarta, nuk ka vend as për negociata, as për marrëveshje të fshehtë: “Zgjedhje të lira, pa Edi Ramën kryeministër, zgjedhje të parakohshme lokale e parlamentare”!”.

Agron Duka, kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste: “Nuk kemi asnjë informacion për sa i përket një marrëveshjeje në ecuri e sipër. Sidoqoftë, përtej spekulimeve mediatike, shpesh herë të stisura nga vetë mazhoranca për të përçarë frontin e gjerë opozitar që është krijuar, gjykoj se një marrëveshje nuk përbën problem në vetvete. Politika në thelb është negociatë, kështu që do të vijë një kohë edhe për marrëveshje. Tani le të themi që nuk kemi asgjë për t’u marrë vesh me mazhorancën, pasi për sa kohë nuk janë zbardhur krimet zgjedhore, nuk janë ndëshkuar grabitësit e votës të evidentuar në dosjet e publikuara nga BILD, vijojnë të kandidojnë njerëz me rekorde kriminale dhe nuk ka asnjë shans për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, dakordësia është e pamundur. Për sa i përket marrëveshjes me të cilën do të duhet të mbyllet kjo krizë, duhet të themi që momenti historik nuk pranon më diktatin e një dysheje mbi fatin e shqiptarëve. Kësodore, duke pasur parasysh edhe eksperiencat negative të vitit 2017, mosreflektimin e kryeministrit për fajet me të cilat është mbuluar menaxhimi i zgjedhjeve gjatë mandatit të tij, opozita nuk do ta pranojë Ramën si interlokutor për zgjidhjen e krizës. Prandaj, kur të vijë koha për t’u marrë vesh, dhe do të hartohen ato reforma të domosdoshme për tejkalimin përfundimtar të tranzicionit, kjo mund dhe duhet të bëhet nga grupe negociatore të mazhorancës dhe opozitës, nën monitorimin e ndërkombëtarëve. Pësimet na janë bërë mësime, prandaj kjo krizë do të zgjidhet vetëm me transparencë kundrejt shqiptarëve dhe jo thjesht me llogari politike, por me një dozë të fortë morali dhe sens të lartë përgjegjësie ndaj të ardhmes së vendit”.