Neuer i mbyllë gojën Ter Stegen: Nuk është hera e parë që bën deklarata të tilla …

Manuel Neuer, kapiten i përfaqësueses gjermane, iu përgjigj deklaratave të zëvendësuesit të tij, Marc André ter Stegen, i cili u ankua për situatën e tij te “Mannschaft.

“Unë jam një lojtar i ekipit dhe gjithmonë mendoj për të mirën e skuadrës. Nuk e di nëse diçka e tillë është e mirë për grupin, veçanërisht kur bëhet fjalë për pozicionin tonë,” – tha Neuer për kanalin Sky.

Ai vuri në dukje se, përveç ter Stegen, ka edhe portierë të tjerë që janë duke pritur për mundësitë e tyre si Kevin Trapp dhe Bernd Leno.

“Ka shumë portierë shumë të mirë. Diskutimi nuk është i drejtë, pasi duhet të respektojmë edhe Bernd Leno dhe Kevin Trapp. Unë e kuptoj plotësisht se kushdo që nuk luan është i pakënaqur, por gjëja e rëndësishme është suksesi i ekipit dhe ne duhet ta mbështesim njëri-tjetrin. Nuk dua të them asgjë tjetër. Nuk është hera e parë që ter Stegen bën deklarata të tilla”, deklaroi gardiani i Bayernit.