Lerda: Laçi ekip i fortë, kjo ndeshje na bën të reflektojmë

Trajneri i Partizanit, Franco Lerda nuk e ka fshehur zhgënjimin për humbjen ndaj Laçit, ndërkohë që strategu italian theksoi se ka ende shumë vend për përmirësim në fazën e sulmit.

 

“E dinim që ishte një fushë shumë e vështirë dhe Laçi është një skuadër e fortë dhe e kishim përgatitur ndeshjen kështu. Pjesën e parë shumë pak i jemi afruar portës, në pjesën e dytë jemi ndëshkuar nga një gol që erdhi nga një dyluftim i humbur në mesfushë, është një ndeshje që na bën të reflektojmë. Duhet të bënim më shumë.

Sulmi? Do të duhet të përmirësohemi në 20-25 metrat e fundit, pasi aty kemi shumë probleme. Duhet të punojmë më shumë atje dhe duhet të jemi më të vendosur.

Vertikalizimet dhe vendosja? Është ajo që na mungon dhe kjo ishte dhe për meritë të Laçit, që qëndroj prapa. Jam i mendimit që duhet të bënim më shumë në këtë aspekt, por me kalimin e minutave u bë shumë e vështirë kjo gjë.

Pse nuk luajti një nga sulmuesit? Solomon ishte i skualifikuar, Brown erdhi nga kombëtarja tre ditë më parë, nuk u stërvit siç duhej dhe ishte e pamundur të luante nga minuta e parë. Mes Ekubanit dhe Bardhit, zgjodha të dytin, pasi ai i njeh më mirë këto fusha ashtu si Çinari apo Asani”, deklaroi Lerda.