Kumbulla është një “mur” i pakalueshëm te Verona, por Milani fiton me një penallti (VIDEO)

Milani ka arritur që të marrë një fitore shumë të vuajtur 1-0 në transfertën ndaj Hellas Veronas. Kuqezinjtë kanë zhgënjyer sërish në lojë, edhe pse luajtën për 79 minua me një futbollistë më shumë në fushë.

 

Skuadra e Giampaolos shënoi golin e vetëm në fraksionin e dytë. Gunter preku topin me dorë duke shkaktuar penallti. Nga pika e bardhë shkoi Krzysztof Piatek, duke arritur që të realizonte, edhe pse portieri Silvestri ja kuptoi krahun. Me këtë sukses kuqezinjtë ngjiten në kuotën e 6 pikëve.

Për t’u evidentuar ishte ndeshja e shkëlqyer që ka zhvilluar mbrojtësi i kombëtares sonë, Marash Kumbulla. 19-vjeçari ishte protagonist me ndërhyrje shumë të sakta në prapavijë, me një teknik dhe forcë fizike për t’u pasur zili, duke bërë që Piatek të ishte një hije në fushë. Kjo është ndeshja e tij e tretë si titullar në Seria A, ndërkohë që në krahë të tij ishte edhe Amir Rrahmani, gjithashtu luajti një ndeshje mjaft të mirë. /R.Lika-Koha Jone/