“Fat i keq” për lojërat e fatit/ Ashpërsohen ndëshkimet: Burg 1-5 vite për organizatorët

Kuvendi ka parashikuar të votojë këtë javë në seancë ndryshimet në Kodin Penal. Në listën e ndryshimeve është edhe kriminalizimi i bixhozit. Referuar nenit 197, organizimi dhe ushtrimi i lojërave të fatit, lotarive apo bixhozit në kundërshtim me ligjin, dënohen me burgim nga 1 deri në 3 vjet.

Po kjo vepër dënohet me burgim nga 2 deri në 5 vite, nëse në lojë marrin pjesë persona nën moshën 18 vjeç.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu se kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim shtohet me 1/4.

Nga ana tjetër, ndryshimet penalizojnë rëndë edhe ata që marrin pjesë në lojërat e fatit në kundërshtim me ligjin. Për këtë kategori, parashikohet dënimi me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.