Duro: Nuk ka justifikime për humbjen, kampionati shumë i ekuilibruar

Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro nuk përpiqet që të gjejë justifikime për humbjen e sotme 2-1 ndaj Bylisit. Skuadra verilindore pësoi sot disfatën e parë ndaj ballshiotëve.

 

“E kam thënë që të gjithë kundërshtarët duhen respektuar. Mund të marrësh rezultat negativ si ne sot me Bylisin. Më vjen keq sepse e nisëm në avantazh. Nuk luajtëm mirë, nuk e menaxhuam avantazhin. Humbëm shumë topa përpara. Nuk i dhamë frymëmarrje skuadrës. Në të dytën, patëm zotërimin e lojës, patëm mundësi shënimi. Goli mund të na sillte te fitorja. U ndëshkuam në fund nga një pakujdesi.

Mungesat? Nuk dua të justifikohem. Kjo është pjesë e kampionatit. E kam thënë, Ethemi dhe Musta kanë qenë në formë. Edhe Teqja, por ne kemi grupin. Nuk justifikohem. Ata ndikojnë, por duhet të bënim paraqitje më të mirë sot. Hasëm vështirësi ndaj një kundërshtari agresiv në dyluftime. Në pjesën e parë humbëm shumë topa, ndërsa në të dytën e mbajtëm topin, kërkuam me vertikalizime. Ishim rrezik për kundërshtarin. Kishim 2-3 raste të pastra, por ka meritë edhe kundërshtari që ishte i vendosur me shumë forca në zonë, dhe kjo nuk na la të shënonim.

Filluam mirë, por çdo humbje e ndërlikon situatën. Është fillimi, dhe duhet një sforcim i madh çdo javë. Duhet të përgatitemi mirë, sepse ka kundërshtarë jo të lehtë të munden. Kampionati do jetë i ekuilibruar për sa i përket rezultateve”, deklaroi Duro.