Pse marrëveshja Rama-Basha s’duhet me çdo kusht

AGRON GJEKMARKAJ/  

Bashkë me gjethet që kë puten nga pemët, ashtu e që mbi të gjitha do të vinte një gur themeli në ngrehinën e rrënuar të besimit të ndërsjellë për zgjedhje të lira e të ndershme. Në këtë krizë të lëbyrtë besimi, opozita dhe pozita nuk kanë të njëjtën barrë faji. Kjo e dyta na qeveris prej 6 vitesh. E ushtron këtë detyrë përmes lidhjeve me botën e krimit, me përfaqësimin e tyre në Parlament dhe pushtet lokal, përmes kanabizimit të Shqipërisë, korrupsionit të shfaqur në forma të dukshme dhe të padukshme, propagandës, së fundi me zgjedhje moniste, me paturpësi dhe arrogancë veprimi e gjuhë. Në një të tillë kontekst, edhe për fajet e veta opozita po mbytej dhe shndërrohej në fasade legjitimuese për fitoret e korruptuara të Edi Ramës.

Opozita po shuhej nga jehu i putinizmit dhe erdoganizmit shqiptar. Rreth këtij të fundit, Qeveria dhe dy eksponentë xhonturq të opozitës (ndonëse kjo e fundit mund të rrinte bukur mirë në hije) u mallëngjyen para një monumenti të nënshtrimit kombëtar. Një akt për të cilin kryetari i opozitës duhet të shprehet. Një gjest i fortë si dalja nga Parlamenti, i cili si maksimum intelektual të vetin ka Elisën, pa harrur Gjuzin, bëri të mundur rifillimin e qarkullimit të gjakut në venat e saj që po thaheshin.

Po kaq, moshyrja ne zgjedhjet lokale i shërbeu asaj për të legjitimuar gjithë sa kishte pretenduar mbi aksionin e Ramës me zgjedhjet. Kryeministri nuk zhgënjeu. Ai përsëriti vetveten duke realizuar me 30 qershor një maskaradë të denje për çdo juntë. Raporti i OSBE-ODIHR-it ia bëri fërtele gjithësa! Lideri i opozitës kishte të drejte kur tha që raporti iu njohu për meritë socialistëve, që nuk u rrahën me njëri-tjetrin më 30 qershor.

Po këta s’e njohin marren e vazhdojnë të thonë jemi lart, jemi mirë. Nuk i doli llogaria me njerëzit. Ata e lanë vetëm si një dordolec të panginjur, nuk e ndoqën nga pas në delirin e absolutizmit. Këtë braktisje ai nuk e mbuloi dot, megjithëse mobilizoi soj e sorollop. Një “kryebashkiak” u dorëhoq, dy të tjerë janë nën akuze të fortë për fshehje dënimesh, fakte këto që çojnë ujë të bollshëm në mullirin e opozitës. Jeta shoqërore dhe sistemi politik kanë nevojë për normalitet. Gjithë sa ka ndodhur, këtë normalitet e ka rrënuar. Por në thelb, ai ishte i rremë dhe i dëmshëm.

Një opozitë fasadë i bën dëm vendit dhe ndihmon qeverinë në degradimin e saj. Nëse opozita këtë lëvizje nuk e ka për qëllime taktike, por mbi të gjitha etike, s’ka arsye të kërkojë me çdo kusht marrëveshje me Edi Ramën. Nuk ka pse merr seriozisht as zërat e “aleatëve”, të cilët si “aleatë” të Berishës, Nanos, Metës, Berishës përsëri, Ramës e tani Bashës pa mbështetje reale në elektorat, pa spikamë, por tanimë si në dekor kadifeje i zbërdhulët, kërkojnë të rifitojnë vendet e humbura e të pamerituara në Parlament.

Nëse lëvizja e opozitës ka qenë morale dhe me rezonim interesat e shoqërisë, s’ka pse merr në konsideratë as zërat e mbytur të ishdeputetëve të saj, shumica e të cilëve s’kanë influencë as te fiset e tyre e jo më në shoqëri.

Po kaq, s’ka pse shqetësohet për rënkimet e kryebashkiakëve, të cilët nuk jetojnë keq. Hall i madh se u humbën ca karrige. Nëse opozita ka qëllim ndryshimin e Shqipërisë, së pari duhet të ndryshojë vetëm së brendshmi dhe ketë s’po e bën. Nuk zhduket Shqipëria nëse Rama rri Kryeministër edhe një vit apo dy.

Pse kaq ngut?! Por ajo dëmtohet rëndë, që edhe pasi të bjerë Rama, gjërat nuk do të ndryshonin.

Atëherë po! Kësisoj, opozita s’ka arsye të bëjë marrëveshje për të rimarrë karriget opozitare. Ajo marrëveshjen duhet ta bëjë me shoqërinë, duke ia mprehur asaj shqisat për t’u përballur me Ramën dhe akixhinjët e tij në zgjedhje të kohshme a të parakohshme. Arroganca e mosndryshimit nën justifikimin e radikalizmit do të jetë problemi i madh i opozitës. Figurina të nivelit të katërt në kohën e Berishës, shumë prej tyre qesharakë atëherë dhe tani, nuk mund të jenë të parë tani. Ndryshimi i qeverive nuk është ndryshim mekanik njerëzish. Ai duhet të reflektojë një kompleks nevojash që vendi ka.

Nguti për marrëveshje pa parime rrëzon moralitetin e një lëvizjeje, që e riktheu në jetë opozitën. Nëse ajo bëhet, duhet me garanci ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, në dritën e diellit e jo në atë të zbehtën e hënës! Se pastaj, refreni ‘të gjithë janë njësoj’ do dëgjohet pa pushim. Opozita le t’u provojë shqiptarëve siç ka bërë nga shkurti e këtej, se nuk ka ngut për të rimarrë karriget personale. Po ashtu, që Edi Rama mund të rrëzohet edhe pa marrëveshje e mbi të gjitha, ajo po transformon vetveten që Rilindja të mos rilindë më. Përndryshe, gjithçka është një iluzion, të cilin do ta veshë Edi Rama si kalorës që kalëron në shkretëtirë./Panorama/