Nisja e vitit të ri mësimor, Policia Bashkiake: Shmangni automjetet personale

Policia Bashkiake në Tiranë ka hartuar një plan masash, me qëllim shmangien e trafikut në ditën e parë të shkollës. Shërbime të përforcuara të uniformave blu do të jenë në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit, ndërsa qytetarëve u kërkohet që të shmangin përdorimin e automjeteve personale.

Shmangni makinat personale për të dërguar fëmijët në shkollë. Drejtori i Policisë Bashkiake në Tiranë këtë apel ja drejton prindërve në prag të nisjes së vitit të ri mësimor, me qëllim evitimin e trafikut të rënduar në rrugët e kryeqytetit.

“Do fillojnë në ditën e parë të shkollës rreth 55 mijë nxënës në Bashkinë e Tiranës. Nëse të gjithë prindërit dhe mësuesit do t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë me mjet, trafiku do të vështirësohet. E mira është që të na mirëkuptojnë dhe ditën e parë të shkollës t’i shmangin sa më shumë mjetet në ato distanca të shkurtra që mund të arrihen qoftë në këmbë, me mjete të transportit publik etj”, tha Kapllani.

Shërbimet e Policisë Bashkiake tregoi Kapllani do të jenë të pranishme në rrugët hyrëse të qytetit për të mos lejuar lëvizjen e furgonëve që transportojnë mallra në orët e mëngjesit. “Bizneset të shmangin orarin e kufizimit të lëvizjes së mjeteve. Që është ora 07:00 deri në orën 09:00”, tha ai.