Lerda: Me Laçin nuk firmos për barazim, tani do shihni Partizanin tim

Franco Lerda është shfaqur optimist për një sukses të mundshëm në transfertën ndaj Laçit. Trajneri italian e pranon se skuadra është në gjendje optimale dhe se pauza e kampionatit i ka shërbyer pas një kalendari të ngjeshur të fillim-sezonit.

 

“Periudha e pushimit ishte e domosdoshme për skuadrën, e cila është kolauduar plotësisht. Duke ditur se vinim pas një kalendari të ngjeshur, ky pushim ishte mjaft i dëshirueshëm. Mos harroni se kemi luajtur 3 ndeshje në pak ditë. Për shkak të kësaj ngarkese nuk e zhvillonim dot stërvitjen siç dëshironim.

Na pret një ndeshje e vështirë, duke e njohur ambientin në këtë transfertë. Do të luajmë në një fushë mjaft të vështirë, e konstatova këtë edhe në miqësoren para fillimit të kampionatit. Duhet t’i marrim mirë masat. Mendoj se na ka shërbyer ajo miqësore me Laçin, pasi kemi pasur mundësi të testonim skuadrën, por edhe lojtarët. Ne e kemi përgatitur këtë sfidë, siç përgatisim çdo ndeshje, duke analizuar pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit. E përsëris, në Laç do të gjejmë një ambient mjaft të nxehtë.

E kam nisur punën me skuadrën që u shpall kampione sezonin e kaluar, përfshirë Bardhin dhe Atanda. Ky i fundit nuk është më pjesë e skuadrës, ndërsa Bardhi ishte i dëmtuar. Gjatë rrugës erdhën lojtarë si Solomon, Romero, Braun, që nuk e kishin kondicionin e duhur fizik. Vetëm në këtë moment mund të them se gjendja fizike është atje ku dëshirojmë. Grupi është më i plotë, ndaj pres suksese në javët në vazhdim.

Nuk do të firmosja për barazim. Unë e përgatis skuadrën që të marrë maksimumin. Barazimin nuk do ta pranoja as ndaj një skuadre më të fortë në botë. Edhe nëse do të kem 1% mundësi që ta fitoj ndeshjen, dua ta shfrytëzoj atë në maksimum”, deklaroi Lerda.