Fluksi i pacientëve te Infektivi, ISHP: Virozë sezonale, s’ka evidencë të salmonelës

Instituti i Shëndetit Publik, ka bërë të ditur se viroza në fllim të shtatorit mund të jetë shkaktuar nga salmonela por ka theksuar se është karakteristike e stinës. “Instituti i Shëndetit Publik sqaron se, nga analizat e kryera deri tani në mostrat e marra në paciente me shqetësime dhe shenja të traktit tretës, nga të gjithë rastet e ekzaminuara, vetëm 5 raste kanë rezultuar me salmonelë, pra nuk rezulton evidencë për përhapje të këtij bakteri. Sipas të dhënave të IShP, nga analizat e mostrave të marra, rezulton se situata e ndodhur lidhet me temperaturat e larta, situatë e zakonshme sezonale, e krahasueshme me vitet pararendëse. Shtrimet ne shërbimin infektiv janë shumë të ulëta në raport me numrin e rasteve të paraqitura dhe fluksi aktualisht në këtë spital ka rënie të konsiderueshme”.

Instituti i Shëndetit Publik do të vijojë monitorimin e situatës, duke ritheksuar se rastet e shfaqura janë normale për sezonin dhe temperaturat aktuale dhe rekomandon zbatimin rigoroz të higjienës personale dhe kërkimin e ndihmës mjekësore në rast të shqetësime të kësaj natyre.

Prej dekadash në disa zona të Tiranës furnizimi me ujë bëhet me bidonë plastik dhe me kosto në varësi të litrave të ujit që merret nga autobotet. Mbi 100 automjete të tillë janë të regjistruar në qendrën kombëtare të biznesit dhe të pajisur me një numër NIPT, ç’ka ligjërisht u garanton veprimtarinë. Mungesa e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm ka detyruar banorët të furnizohen me ujin e autoboteve që tregtojnë nëpër Tiranë. Kjo konsiderohet dhe si shkaku i epidemisë së para pak ditëve, ku çdo ditë paraqiteshin 280 raste në Infektiv.

Nga analizat e pacientëve të cilët janë trajtuar në shërbimin infektiv rezulton se ata janë infektuar me salmonelë, e cila merret kryesisht nga ushqimet si dhe moslarja e tyre me ujë të bollshëm siç janë sallata, perimet e ndryshme mishi i pulës por edhe duart. Të pyetur nga epidemiologët një pjesë e mirë e këtyre pacientëve kanë deklaruar se konsumojnë ujë të autoboteve. Uji tyre mund të jetë i kontaminuar, pasi cilësia e ujit të autoboteve që tregtohet nëpër Tiranë nuk është për konsum madje as nuk i kontrollon askush. Autobotet blejnë ujë pranë ujësjellësit të Tiranës dhe destinacioni është i përcaktuar për vaditje në mënyrë që të mos abuzohet me ujin e rrjetit që furnizon qytetarët.

Uji që ata blejnë është i patrajtuar në impiantin e Bovillës dhe askush nuk analizon cilësinë tij. Por ky ujë u tregtohet konsumatorëve me një çmim më të lirë se sa uji i ambalazhuar duke riskuar seriozisht shëndetin e konsumatorit. Ditën me diell para syve të të gjithëve madje edhe vetë autoriteteve që duhet të mbajnë përgjegjësi këto autobote qarkullojnë lirshëm rrugëve të Tiranës madje duke thirrur në çdo lagje për orarin kur mbërrijnë. Licencimi për ushtrimin e aktivitetit i cili jepet me autorizim të Inspektoratit Shëndetësor, merret për tregtim të ujit të patrajtuar.