Fëmijët si ”karrem” për azil, zbulohen dëshmitë e prindërve në gjyq

Sipas statistikave të Gjykatës së Tiranës, nga viti 2015 janë regjistruar 33 gjykime për akuzat e “braktisjes së fëmijëve të mitur”, për të cilën Kodi Penal parashikon dënim me gjobë ose burg deri në tre vjet. Pjesa dërrmuese i përket rasteve kur të miturit janë lënë jashtë kufijve. Referuar vendimeve përfundimtare, prindërit e pandehur janë hetuar dhe gjykuar në gjendje të lirë. Në rastet e fajësive, dënimet kanë qenë me gjobë deri në 200 mijë lekë, ose dënim me burg deri në 6 muaj por që janë zëvendësuar me periudha lirie me kusht, duke mbajtur kontakte me Shërbimin e Provës.

Në vendimet e siguruara nga A2 zbulohen edhe arsyet që kanë çuar prindërit të kthehen pa fëmijët në Shqipëri. Një vendim që i përket një 46-vjeçareje me inicialet M.L nga rrethinat e Tiranës, e cila në vitin 2015 ka lënë në Gjermani katër fëmijët e saj të mitur në mosha nga 10 në 17 vjeç, thotë: “Si gjatë hetimeve paraprake dhe në gjykim, e pandehura nuk i ka kundështuar faktet objekt akuze. Ajo ka shpjeguar se fëmijët i ka lënë vetë me dashje vetëm në azil, në dhomën ku qëndronte në fshatin Ferne, të komunës Shellzkoten, Gjermani dhe është kthyer në Shqipëri, duke menduar se atyre mund t’u krijoheshin kushtet për një jetë më të mirë”.

Ndërsa dy vëllezër 50 dhe 55 vjeç nga Peshkopia, në vitin 2018 kanë lanë vajzat 15 dhe 16-vjeçare në Belgjikë. Në përballjen e tyre me drejtësinë fillimisht kanë pretenduar se kanë lënë për kurim njërën nga vajzat. Më vonë kanë pranuar akuzën dhe rrëfyer të vërtetën. ”Ai e ka pranuar faktin dhe akuzën, duke u shprehur se e ka kryer veprën penale me qëllim për t’i siguruar vajzës arsimimin dhe një të ardhme më të mire në shtetin anglez”. Ndodh edhe e kundërta. Gjyqtari Erjon Bani ka pushuar procedimin për një prind nga Dibra. Rezulton se ai ka dërguar djalin për kurim shëndetësor në Malin e Zi dhe se pas disa kohësh i biri jashtë dijenisë së prindit ka rrugëtuar drejt Britanisë së Madhe. “Përderisa nuk provohet që i pandehuri të ketë kryer ndonjë veprim të paligjshëm në kuptimin penal, atëherë nuk kemi as faj”, arsyeton gjykata.