100 mijë euro gjobë Francës për ngatërresën e himnit kombëtar

Federata franceze e futbollit mund të dënohet me 100 mijë euro gjobë për ngatërresën më himnin kombëtar të Shqipërisë gjatë ndeshjes së dy kombëtarëve.

Lajmi është bërë i ditur nga gazeta franceze “L’Equipe”. Gazeta shkruan incidenti me “himnin kombëtar të Shqipërisë nuk është pritur mirë nga UEFA, dhe është hapur një procedim disiplinor”.

Vendimi për dënimin e federatës pritet të bëhet publik në datën 17 tetor. Sipas gazetës franceze “Franca pritet të dënohet me 100 mijë euro nga UEFA, ndërkohë që nuk është çudi që të kemi një pezullim të fushës”.

Ndeshja mes Francës dhe Shqipërisë u zhvillua më 7 shtator në “Stade de France”. Fillimisht gjatë prezantimit të ekipeve, në vend të himnit shqiptar u ekzekutua himni i Andorrës. Lojtarët e kombëtares tonë protestuan menjëherë dhe nuk pranuan të nisnin ndeshje. Situata ka qenë e paprecedentë dhe ka sjellë tensione mes tifozerisë së shumtë shqiptare. Por sikur të mos mjaftonte ngatërresa e himnit komentatori i ndeshjes në stadium bëri një tjetër ngatërresë. Në vend ku kërkonte falje tifozëve të Shqipërisë ai foli për tifozët e Armenisë.

Video/Momenti i ngatërrimit të himnit