Strakosha merr gjithçka, pas Lazio-s edhe Shqipërinë

Gazzetta dello Sport u ka kushtuar një hapësirë të veçantë, këtë të enjte, dy portierëve kuqezi, Thomas Strakosha dhe Etrit Berisha, në prag të përplasjes së fundjavës, SPAL-Lazio. Derbi kuqezi i portës në Serinë A, në fakt, është në dyshim, për shkak të problemeve fizike të Berishës, i cili vazhdon të stërvitet i veçuar. Më poshtë artikulli i shkruar për dy portierët e Shqipërisë.

“Tashmë Thomas Strakosha ka fituar gjithçka, portieri 24-vjeçar i Lazio-s është titullar edhe te Shqipëria. Trajneri Edy Reja e ka preferuar para Etrit Berishës për ndeshjet me Francën dhe Islandën, të vlefshme për kualifikueset e Europianit 2020. Por, para ndeshjes me Islandën, Berisha ka pasur edhe një problem muskulor, që ka vënë në dyshim serioz edhe rikuperimin e tij për takimin SPAL-Lazio.

Me shumë mundësi, dy portierët shqiptarë do ta shmangin ballafaqimin mes tyre në Serinë A këtë fundjavë. Të dy i lidh edhe përvoja te Lazio. Tre vjet më parë, ikja e Berisha tek Atalanta i hapi rrugën Strakoshës, i cili u bë portieri i dytë, pas Marccheti-t, për të marrë më pas vendin e titullarit.

Pas 11 muajsh, Strakosha luajti me Shqipërinë në fitoren 2-0 ndaj Izraelit, më 14 tetor. Kjo ishte ndeshja e tij e fundit si titullar me kuqezinjtë, më pas në stol si zëvendësues i Berishës dhe me një marrëdhënie jo të lehtë me Panucci-n. Me ardhjen e Rejas te Shqipëria, Strakoshës iu krijuan mundësi të tjera. Ai pati hapësirë në Kombëtaren Shqiptare pas një vere më të vështirë sesa ishte parashikuar, për shkak të atij dëmtimi të pësuar që në fundin e sezonit të shkuar.

Strakosha iu bashkua Lazios në fazën e dytë të përgatitjeve të sezonit, nga sfida e 2 gushtit me Bournemuthin, e para miqësoreve në atë periudhë. Ai u kthye mes shtyllave, duke qenë i kujdesshëm për dëmtimin që kishte pësuar. Trajneri Reja i ka njohur të dy, si Strakoshën, ashtu edhe Berishën, që nga koha kur drejtonte Lazion. Tani Strakosha ka kapur trenin e ambicieve me Lazion dhe me Shqipërinë”, shkruan “Gazzetta dello Sport”.