Ish-ministri Bushati paralajmëron: Miliardat e shqiptarëve në pak duar!

-Një grup prej 7 deri në 10 oligarkësh drejtojnë realisht qeverisjen, marrin gjithë paratë e shqiptarëve dhe diktojnë vendimmarrjet e mëdha në favor të tyre.

Që pas braktisjes së Kuvendit nga opozita, Parlamenti ka marrë përsipër dy detyra kryesore. E para, të miratojë sa më shpejt koncesionet (pazaret) mes biznesit dhe politikës duke kryer kështu vjedhjet me të mëdha në historinë e shtetit shqiptar, me ligje speciale. Kontratat edhe pse serviren si model zhvillimi janë në fakt ndarje parash mes biznesmenëve dhe zyrtarëve të qeverisë. Detyra e dytë e këtij pseudoparlamenti, me opozitë të blerë dhe deputetët më pa identitet, është asgjësimi i opozitës reale dhe çdo institucioni që rrezikon pushtetin e që demaskon vjedhjet. Komisioni hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit është prova e degradimit të gjithë sistemit politik dhe të kësaj mazhorance.

Në këtë mënyrë, se çfarë ndodhë të enjteve në parlament nuk përbën më kërshëri për opinionin. Sepse ose do miratohet vjedhja e radhës me koncesione, ose do të sulmohet kreu i shtetit apo opozita reale. I vetmi përjashtim mes ushtrisë së këtij pseudoparlamenti është ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i PS-së, Ditmir Bushati. Edhe disa deputetë të PS-së, për të qenë realist. Mes marrëzisë së fjalimeve të Taulant Ballës që adhuron lidershipin e Kujtim Gjuzit dhe Elisa Spropalit që e ka ngritur karrierën politike duke sharë Presidentin e Republikës, Ditmir Bushati është i vetmi politikan që bën diferencën me të tjerët në atë sallë. Është i vetmi që po u tregon miqve të tij socialistë për greminën politike ku po shkon kjo qeverisje. Është gjithashtu i vetmi, që pa hequr dorë asnjë moment nga parimet e PS dhe të së majtës, po tregon se çfarë po bëhet gabim nga PS dhe çfarë mund të rregullohet në kohë. Gjithashtu, është i vetmi që nuk ndalet vetëm në pasojat e kësaj politike te PS-ja dhe qeverisja, por në dëmin që po i shkaktohet vendit dhe integrimit në BE.

Edhe në seancën e djeshme, mes zhurmës së socialistëve të vetëkënaqur nga pushteti i madh që administrojnë, Ditmir Bushati ishte i vetmi që ngriti alarmin për modelin e rrezikshëm ekonomik që po instalohet. Në seancën ku miratoheshin koncesionet e radhës dhe ligjet që kalojnë pronat dhe pasuritë publike në dorë të biznesit privat, Bushati shprehu shqetësimin se ky përqendrim i pasurisë në pak duar nuk do të sjellë asgjë të mirë. Bushati tha se një grumbullimi i miliardave në pak duar nuk do të sjellë asnjë zhvillim të qëndrueshëm. “Kjo nuk është një çështje e majtë e djathtë, po nëse doni si socialist, si progresist, si politikan si qytetar, më shqetëson përqendrimi i të ardhurave në një grusht njerëzish, më shqetëson prirja jonë për zgjidhje të lehta në vend që të punojmë për modele të qëndrueshme. Edhe pse kam respekt maksimal për kapitalin, më shqetëson që ne vazhdojmë të eksportojmë kapital njerëzor 30 vite pas shembjes së regjimit komunist”,- deklaroi ish-ministri i Jashtëm. Ky model ekonomik që është ndërtuar këto vite, sipas ish-ministrit, ka si bazë grykësinë dhe pafytyrësinë e kjo është arsyeja se përse qytetarët vijojnë të ikin nga Shqipëria. Ish-ministri e cilësoi situatën aktuale edhe si një krizë vlerash të shoqërisë për shkak të politikës. “Jemi duke përjetuar një krizë vlerash. Kjo krizë vlerash nuk vjen nga mungesa e të mirave, por nga padrejtësia, nga aksesi në shpërndarjen e të mirave. Kjo krizë nuk vjen nga përtacia, as nga mungesa e dëshirës së një qeverie për ti mbajtur shqiptarët brenda atdheut, por nga mpirja që sjell mungesa e shpresës. Kjo krizë nuk vjen nga e ashtuquajtura injorancë e turmës, por nga grykësia dhe pafytyrësia dhe paaftësia mbi të gjitha për të ndërtuar një sistem vlerash”,- u shpreh Bushati.

Të gjithë problemet që ngre ministri Bushati duket se e kanë zanafillën të modeli qeverisës dhe ai ekonomik. Koncesionet, grabitja dhe përqendrimi i pasurisë së shqiptarëve në pak duar duket se prodhojnë edhe krizat politike, qeverisjet e korruptuara, stanjacionin ekonomik dhe sigurisht largimin nga BE.

Diku te 7 apo 10 veta janë që kanë gjithë miliardat e vendit e që drejtojnë qeverisjen në favor të interesave të tyre private./Mili Xhani/