Agim Kola: Nuk jam arrestuar nga policia, është një Agim tjetër, ndaj verifikoni mirë!

Nga Agim Kola*

Sot në datën 13.09.2019 dhe dje në datë 12.9.2019, në versionin e shtypur por edhe në atë online të disa mediave është publikuar lajmi: “Skandali/ Kuvendi i dha koncensionin për Milot-Balldren, pronari i firmës arrestohet nga Policia”.

Në cilësinë e administratorit të shoqërisë “ANK” sh.p.k., ju informoj se:

Në titull dhe përmbajtje të tij, ky “lajm mediatik”, është tërësisht i pavërtetë dhe si i tillë cenon rëndë nderin, dinjitetin, imazhin dhe reputacionin e Agim Kola dhe të shoqërisë “ANK” sh.p.k.

Nuk është aspak e vërtetë që administratori i shoqërisë “ANK”, Agim Kola është arrestuar nga policia. Ky është një fakt lehtësisht i verifikueshëm. “Lajmi” i publikuar nga media është një shpifje dhe bazuar në nenin 120 të Kodit Penal parashikohet shprehimisht se: “Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacioni tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëdhjetë mijë lekë.

Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.”

Do të donim ta konsideronim këtë lajm një lajthitje apo pakujdesi të gazetarit autor i shkrimit, dhe jo një linjë editoriale të mediave që në fakt ka për detyrë të verifikojë informacionin përpara botimit, të sigurohet që lajmi apo informacioni është i saktë dhe i bazuar në fakte.

Theksojmë se Administratori i shoqërisë “ANK”, sh.p.k., pavarësisht se ka të njëjtin emër nuk ka asnjë lidhje me administratorin e shoqërisë R.S. M&Hidro Company, i cili është arrestuar për evasion fiskal. Ju sigurojmë se Agim Kola, në cilësinë e administratorit të shoqërisë “ANK” sh.p.k, por edhe vetë kjo shoqëri, gjatë veprimtarisë së tij respekton ligjet dhe aktet nënligjore gjatë ushtrimit të veprimatrisë së shoqërisë dhe ka paguar të gjitha detyrimet e përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi. Në këtë kontekst, ju sigurojmë se nuk ka asnjë kallzim penal apo vendim penal në emër të tij për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme.

Në foto: Agim Kola administratori i ANK shpk

Sipas praktikës juridike, Mediat luajnë rol të rëndësishëm në shoqërinë demokratike. Edhe pse nuk duhet t’i kalojnë disa ku­fi, posaçërisht kur kemi të bëjmë me reputacionin dhe të drejtat e të tjerëve, detyra e tyre është që të ofrojnë informata dhe ide në përputhje me obligimet dhe përgjegjësitë e tyre lidhur me të gjitha çështjet e interesit publik. Mediat jo vetëm që kanë rolin e ofrimit të informatave dhe ideve të tilla, por edhe qytetarët kanë të drejtë që t’i marrin ato. Po të ishte ndryshe, mediat nuk do të mund të luanin rolin e tyre jetik të “kontrolluesit publik”.

Bazuar në sa më sipër, në shërbim të interesit publik, në mbështetje të legjislacionit në fuqi dhe të parimit bazë të gazetarisë mbi informimin e fakteve apo lajmeve të vërteta, në kushtet kur “lajmi” i publikuar nga Ju është tërësisht i pavërtetë, kërkojmë përgënjeshtrimin e menjëhershëm të lajmit, në të njëjtin format dhe renditje me publikimn e “lajmit” të pavërtetë të datës 13.09.2019.

Në rast të kundërt, ju bëjmë me dije se do të vijojmë rrugën ligjore për rivendosjen në vend të dinjitetit, imazhit dhe reputacionit të administratorit dhe të shoqërisë “ANK” sh.p.k. Kërkojmë gjithashtu nga gazeta Juaj verifikimin më parë të çdo lajmi që ka lidhje me shoqërinë “ANK” përpara botimit të tij. 

*Administrator i ANK shpk