Tre vite pas miratimit të ligjit, pajisen me kamera shkollat në Lezhë

Shumica e institucioneve arsimore në Lezhë këtë vit të ri shkollor do të jenë të monitoruara me kamera. Drejtuesit e Arsimit në Lezhë thonë se kjo do të ndikojë në rritjen e sigurisë dhe disiplinës në shkolla

Incidentet në shkolla ndër vite kanë ngritur pikëpyetje për sigurinë e nxënësve në institucionet arsimore.

Gati 3 vjet pas miratimit të ligjit për masat shtesë të Sigurisë, shumica e  shkollave në Bashkinë e Lezhës vetëm këtë vit do ta nisin vitin shkollor të pajisura me kamera monitorimi.

Qëllimi është përmirësimi i disiplinës brenda e jashtë ambienteve të institucioneve arsimore. Ndërsa në 4 shkolla janë vendosur oficerët e sigurisë.

Luan Dalipi: “Është bërë vendosja e kamerave në të gjitha shkollat e mesme të rrethit dhe në disa shkolla të qytetit. Në 4 shkolla të rrethit tonë tashmë ka oficerë sigurie. Projekti që është përhapur në gjithë Shqipërinë ka përfshirë edhe shkollat tona.”

Drejtori i zyrës së Arsimit Parauniversitar në Lezhë, Luan Dalipi thotë në një kohë të shkurtër, kamerat do të vendosen edhe në institucionet arsimore të mbetura, duke dhënë një mesazh sigurie për nxënësit dhe prindërit.

/Ora News