Shkolla “Shaban Sheshori” në Prezë, gati më 16 shtator

Shkolla e mesme e bashkuar “Shaban Sheshori” në Prezë është një tjetër shkollë që do të jetë gati më 16 shtator me një pamje krejtësisht të re dhe me kushte shumë më të mira për zhvillimin e mësimit.

Rikonstruktimi total i realizuar në 16 klasa, palestër dhe ambientet e jashtme ka krijuar kushte shumë më të favorshme në këtë shkollë për afro 230 nxënësit e saj që vijnë nga fshatrat e Ahmetaqit, Prezës dhe Fushë-Prezës.

Të pranishëm në inspektimin e punimeve të përfunduara ishin Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini dhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, të cilët shpërndanë njëkohësisht edhe libra falas për nxënësit e klasave 1-5 dhe i uruan atyre suksese për vitin e ri shkollor.

Në kuadër të shpërndarjes së librave falas, kujtojmë se këtë vit skemës mbështetëse i janë shtuar edhe klasat e 5-ta.

Në total, numri i nxënësve përfitues të librave falas nga klasa 1-5 është 155 mijë; ndërsa 70 mijë është numri total i nxënësve përfitues nga klasa 6-12, të cilët vijnë nga kategoritë e veçanta.