Sherr me grushte në emision, bashkëshorti i ministres Besa Shahini godet zyrtarin e Vetëvendosjes

Mbrëmjen e djeshme, bashkëshorti i ministres së qeverisë së Edi Ramës, Besa Shahini, Dardan Molliqaj ka goditur fizikisht zyrtarin e Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi. Të dy kandidatët për deputetë, Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Dardan Molliqaj nga koalicioni PSD-AAK, ishin të ftuar në emisionin “Pressing”. Gjatë emisionit ata kishin debatuar me tone të larta disa herë, por që nervozizmin e madh e nxorën sapo dolën nga studioja televizive.

“Kam qenë duke dalë nga korridori i televizionit dhe Dardani me shoqëruesin e tij erdhën përmbrapa dhe u kacafytëm dhe donin të më godisnin. Ka hyrë Rexhep Hoti dhe më pas ndodhi një situatë e pakëndshme (kapje prej fyti). Më pas më goditi në këmbë. Ishte një situatë jo e mirë”,- ka thënë Abazi.
Incidentin e ka konfirmuar edhe drejtuesi i emisionit “Pressing”, Leonard Kerquki. Për shkak të këtij incidenti, ai tha se nuk do të mund ta vazhdojë emisionin.

Ndërsa Molliqaj ka mohuar të ketë ndodhur sulm jashtë studios televizive. “Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik. Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike. Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive”, ka deklaruar Molliqaj. BW