Presidenca i përgjigjet Spiropalit: E çmendura E të lexojë raportin e OSBE

Presidenti Ilir Meta dhe Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi

Tedi Blushi, Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, ka reaguar ndaj deklaratave që bëri sot në Kuvend ministrja dhe deputetja e PS, Elisa Spiropali. Deputetja e PS sulmoi kreun e shtetit lidhur me qëndrimin e tij për 30 qershorin, si bëri diversion me qëndrimet e opozitës.

Nisur nga këto deklarata, në një postim në Facebook, Blushi shprehet se para se të sulmojnë kreun e shtetit, deputetët e PS duhet të lexojnë raportin e OSBE/ODIHR për 30 qershorin. Blushi shprehet se klithmat anti-presidenciale kërkojnë të spostojnë vëmendjen nga koncesionet miliona euro që po miraton Partia Socialiste në Kuvend.

E ftojmë të Çmendurën E. të lexojë raportin final të OSBE/ODIHR për dekretin kushtetues të Presidentit Meta dhe sjelljet antikushtetuese të Kuvendit, KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor, që i provojnë të gjithë botës demokratike kapjen e shtetit nga Rilindja moniste.

Klithmat anti-presidenciale të porositura sot me urgjencë duan të spostojnë vëmendjen nga miratimi kokëfortë i PPP-ve më të shtrenjta në botë, në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe interesin publik, dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë”,- deklaron Tedi Blushi në një reagim në Facebook.

Me një gjuhë të ashpër dhe jo shumë etike, Spiropali sulmoi kreun e shtetit nga foltorja e Kuvendit për kthimin e ligjeve të miratura nga PS. “Presidenti kthen në Kuvend çdo ligj. Sulmon nëpërmjet tastierës së tij dhe zëdhënësve qeverinë dhe parlamentin. Presidenca duhet ta dijë se kthimi i këtyre ligjeve është në kundërshtim me interesin publik. Rezervat materiale, janë vetëm të grupit A tek gruri dhe materialet e thjeshta, nuk e di pse Metës i shkon mendja menjëherë tek floriri, por këtë le ta shpjegojë Frojdi jo ne”,- tha Spiropali.

Më tej ajoi shtoi se “po presim të dëgjojmë kush do ta digjte parlamentin? Dështuan dhe vijojnë që të dështojnë, pasi nuk kanë asnjë alternativë. Komisioni Hetimor nuk do të shërbejë si mekanizëm ndëshkues për Presidentin, por si çlirues për Ilir Metën për t’u kthyer në krye të opozitës”,- tha ndër të tjera Spiropali.