Peshkimi me grep del “huq” – INSTAT: Rënie drastike me 70.6 për qind, sasia më e ulët në 5 vjet

Gjuetia artizanale e peshkut me varka të vogla në breg të detit apo me grep ka pësuar një rënie drastike gjatë vitit 2018 me 70.6 për qind në raport me vitin 2017, duke regjistruar performancën më negative të sektorit.  Sipas të dhënave të INSTAT, peshkatarët me anije më të vogla se 12 metra  kanë kapur vetëm 315 tonë gjatë vitit që lam pas, duke regjistruar sasinë më të ulët në 5 vitet e fundit. Po ashtu rënie ka pësuar edhe peshkim lagunor me 41,7 %.

Ndërsa në tërësi sektori i peshkimit ka performuar pozitivisht, pasi në vitin 2018, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë 14.875 tonë nga 12.719 tonë që ishte në vitin 2017, duke pësuar një rritje në terma vjetorë me 17,0 %. Rritjen më të madhe vjetore, e ka pësuar kategoria “Molusqe” me rreth 157,7 %, krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, me rritje kanë rezultuar dhe zëniet nga kategoria “Akuakulturë” me 28,5 %, kategoria “ Ujërat e brendshme” me 20,9 % dhe në fund renditet “Peshkimi detar” me 20,2 %.  Të dhënat e fundit nga regjistri i flotës tregojnë se deri në vitin 2018 janë 632 subjekte të liçencuara për aktivitet peshkimi dhe janë 73 subjekte të liçencuara më shumë se një vit më parë. Shifrat tregojnë zhvillimin që po merr sektori vitet e fundit./ SCAN