Panariti: Me kursimet e shqiptarëve, bankat po kreditojnë manjatët oligarkë përmes koncensioneve

Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Panariti përshkruan me nota pesimiste atë çfarë po ndodh sot me depozitat e kursimit të shqiptarëve, të cilat edhe pse janë në shifrat e miliarda eurove, nuk gjenerojnë asnjë të ardhur për depozituesit, sepse interesat bankare janë “zero”.

Përmes një analize në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “facebook”, Panariti argumenton se shqiptarët po varfërohen çdo ditë e më shumë dhe pa u ndalur. Teksa shtron pyetjen se çfarë bëjnë bankat me paratë e shqiptarëve të grumbulluara me interesa “zero”, ish-ministri thekson se me këto para ato kreditojnë me interesa të favorshme të fuqishmit “manjatët” oligarkë, të cilët nuk luajnë me paratë e tyre, por me kursimet e shqiptarëve për të investuar në kontrata koncesionare të tipit PPP.

Reagimi i plotë i Panaritit

Mirë që më dhunon, por më kërkon që edhe të paguaj për këtë!

Shqiptarët po varfërohen, pa një plan për ndalimin e “tretjes” dhe shpërdorimit të kursimeve të mundit, djersës dhe sakrificave të tyre në depozita! Me miliarda euro depozita kursimi të shqiptarëve, pa llogaritur paranë jashtë bankave, e cila duhet të jetë së paku dyfishin e asaj formale, po treten e rrudhen çdo ditë dhe më shumë. Ato para nuk gjenerojnë asnjë të ardhur për depozituesit, sepse interesat bankare janë “zero” dhe po të llogaritim edhe komisionet bankare dhe inflacionin e monedhës, gërryerja dhe pakësimi i kursimeve është i pandalshëm. Shqiptarët po varfërohen! Për ditë e më shumë! Pa u ndalur! Një mijë lek depozitë e tyre sot, nesër do të jetë tetëqind, pasnesër edhe më pak! Ata rrijnë dhe vështrojnë të hutuar dhe të dëshpëruar greminën financiare poshtë këmbëve!

Por çfarë bëjnë bankat me paratë e shqiptarëve të grumbulluara me interesa  ZERO, shtrohet pyetja?

Me këto para ato kreditojnë me interesa të favorshme të fuqishmit “manjatët” oligarkë, të cilët nuk luajnë me paratë e tyre, por me kursimet e shqiptarëve për të investuar në kontrata koncesionare të tipit PPP. Për këto kontrata shteti,(nënkupto shqiptarët kursimtarë) do t’i paguajë interesa të larta për vite me radhë koncensionarit, i cili përdor paratë e tyre “gratis” dhe pa rrezik personal! Kjo do të thotë: “Mirë që më “përdhunon”, por më kërkon që edhe të paguaj për këtë!” Zgjidhja është vetëm një: Paratë e shqiptarëve në banka e depozita, apo dhe jashtë tyre, të financojnë drejtpërdrejtë, me interesa normale dhe shumë më të ulëta investimet publike, infrastrukturën e shërbimet, se sa paratë me “fajde” të  oligarkisë.

Prandaj, demokracitë perëndimore kanë bursat dhe tregjet e aksioneve, ku individi bëhet pjesëmarrës direkt në investim me vullnet të lirë dhe lëviz paranë e tij të kursyer, që ajo të mos kalbet dhe tretet e që të mos mbetet me gisht në gojë.