Makinat me xhama të zinj, Balluku: Në dorën e serviseve të autorizuara

Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar se për çështjen e makinave me xhama të zinj, do të ketë së shpejti një zgjidhje. Sipas saj, xhamat e zinj do të lejohen nëse janë në konform me rregullave dhe të jenë të licensuara nga një servis i autorizuar.

”Kjo është një histori e vjetër që ndodh me drejtuesit e mjeteve dhe rregulloret që vijnë sipas standardeve të BE-së. Kemi një precedent pasi jo vetëm Shqipëria por edhe vende të tjera e kanë shfaqur këtë problem të xhamave të errët në automjete, për arsye të sigurisë kombëtare dhe luftës kundër krimit të organizuar. Së shpejti do të keni edhe zgjidhje për këtë”.

Pak ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njoftoi se xhami i pasëm mund të errësohet me material xhami ose me qese/film, deri 75%. Drejtori i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja, tha se institucioni që ai drejton është në fazën përfundimtare të krijimit të akredit më të mirë për regjistrimin e automjeteve në regjistrin kombëtar të automjeteve, që ofron një akses të madh informativ për automjetin dhe individin, që sipas tij, shumë shpejtë do të sjellë shërbimin e identifikimit të mjetit për çdo të dhënë, vetëm nëpërmjet targës, pa qenë nevoja të ndalohet mjeti dhe të kontrollohet.

”Shumë shpejtë në shërbimet online të drejtorisë që unë drejtoj, do të jepen udhëzimet përkatëse se si qytetarët dhe serviset do të bëjnë zëvendësimin e xhamave të mjeteve duke e unifikuar këtë element sipas standardeve më të mira. Janë 400 mijë mjete që do të donin të kishin përfitim nga një benefit i tillë. Duam të disiplinojmë këtë proces sipas standardeve”.