Viti i ri Akademik, konvikti në Gjirokastër pa ujë të pijshëm

Konviktit ku akomodohen studentët në Gjirokastër i është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm pasi kjo drejtori ka borxhe ndër vite ndaj ujësjellësit. Drejtoresha e Ndërmarrjes se Trajtimit Studentor, Doriana Demo, thotë se ka depozituar një padi ne gjykatë për ish-drejtorin dhe ka bërë një kërkesë në Ministrinë e Arsimit për zgjidhen e situatës.

Borxhet e grumbulluara prej vitesh nga Ndërmarrja e Trajtimit Studentor në Gjirokastër kanë detyruar ujësjellësin në këtë qytet që të ndërpresë furnizimin me ujë të pijshëm. Drejtoresha e konviktit, Doriana Demo, thotë se ka paditur në Gjykatën e Gjirokastrës paraardhësin e saj.

”Si administratore kam njoftuar Këshillin Mbikëqyrës, kam ngritur padi në prokurori, jo vetëm prej meje por edhe nga drejtoria e Inspektimit Financiar për gjithë keqmenaxhimin e fondeve që është bërë në shoqëri. Janë çuar dokumentet janë hapur çështjet penale. Ne jemi gati për të dalë në gjyq. E para për të marrë lekët që nuk janë paguar nga këtyre furnitorëve ndaj ujësjellësi dhe OSHEE dhe së dyti për të nxjerrë fajtorët që çdokush të veprojë dhe të marrë përgjegjësinë”.