Varrmihësit ankohen për fantazma

“E pashë natën. Po hidhej nga varri në varr që të ushqehej me mishin e freskët të trupave të sapovarrosur. Dukej si një krimb i madh, sa një fëmijë, i mbuluar me gëzof si të maces”, tha Hani Abu Naim, 61 vjeç, i cili mban gjithnjë një kazmë me vete kur ëlviz nëpër varreza. “Lugina e Paqes” është varreza më e madhe në botë, dhe ndodhet 150 kilometra në jug të Bagdadit, Irak. Aty dergjen eshtrat e miliona njerëzve, si dhe të shumë imamëve shiitë. Sipas UNESCO-s, këto varreza janë të vetmet në botë që vazhdojnë t’u shtohen varret prej 1400 vitesh.

Por varrmihësit që punojnë midis varreve të rreth 5 milionë myslimanëve, përfshi dhe ata që janë vrarë në luftërat e shumta të Irakut, thonë se puna e tyre është plot me rreziqe, pasi vendi përndiqet nga shumë fantazma. ”Një ditë, një hije më erdhi fshehurazi nga pas. Më goditi fort në kokë dhe më la të lënduar rëndë. Tani nuk eci dot siç duhet dhe ende ndiej sikur trupin ma përndjek një fantazmë”, thotë për Al Xhaziran një ish-varrmihës i quajtur Hajdar al-Hatemi. Familjarët e tij të shqetësuar shitën shtëpinë që ta kuronin me disa seanca për pastrimin e shpirtit, të cilat kushtuan 30 mijë dollarë. Por, pas dy vitesh, ai vazhdon të jetë i prekur nga sëmundja e çuditshme që e bën të ndihet keq.

Familja tani jeton në një lagje të varfër në qytetin Naxhaf, dhe e ka të vështirë t’i kthehet jetës normale. Gruaja e Hatemit, e tmerruar nga sjelljet e tij të pazakonta, ka kërkuar shkurorëzim. “Po varrosja një grua dhe gjatë funeralit, kur u përkula për ta ngritur, dora e saj më goditi aq fort në fytyrë sa ngriva në vend”, thotë 23-vjeçari Abo Sebi.

Mjekët shpjegojnë se ndodh që trupit t’i lëvizin gjymtyrët pas lëshimit të muskujve të ngrirë, por Sebi hyri në depresion dhe pas disa përpjekjesh për të vrarë veten, u mor nën kujdesin e spitalit amerikan në Bejrut, Liban, ku trajtimi i kushtoi 7000 dollarë. Megjithatë, nevoja për punë dhe papunësia e lartë në Irak e bëri që të rikthehet të punojë si varrmihës, për 300 dollarë në muaj. Hani Aba Naim, 61 vjeç, këmbëngul se ka parë dy lloj gjallesash: një fantazmë nga bota e përtejme, dhe një krijesë të kësaj bote: “E pashë natën. Po hidhej nga varri në varr që të ushqehej me mishin e freskët të trupave të sapovarrosur. Dukej si një krimb i madh, sa një fëmijë, i mbuluar me gëzof si të maces”, tha Naimi, i cili mban gjithnjë një kazmë me vete kur lëviz nëpër varreza.