SPECIALE/ 6 “sekretet” e fitores së Shqipërisë ndaj Islandës

Shqipëria pësoi një humbje të turpshme 1-4 ndaj Francës të shtunën në mbrëmje, duke zhvilluar një ndeshje shumë të dobët. Sigurisht që të humbasësh ndaj kampionëve të Botës nuk është një dramë e madhe, por nga mënyra si erdhi, la një shije shumë të hidhur të opinioni futbollistik. Trajneri Edoardo Reja kishte vetëm dy ditë kohë për të përgatitur sfidën ndaj Islandës, kundërshtari jonë direkt për vendin e tretë në renditje.

 

Strategu italian si një psikolog i vërtet punoi më shumë në aspektin psikologjik të futbollistëve, por edhe në atë teknik duke bërë plotë 6 ndryshime në formacionin që hodhi në fushë në “Elbasan Arena”. Rezultati i punës së tij ishte fantastik: Triumfuam 4-2, zhvilluam një lojë të bukur dhe rigjetëm entuziazmin që na kishte humbur prej shumë ndeshjesh. Por cilat ishin disa nga sekretet e këtij triumfi, duke lënë mënjanë, punën e të cilit e nënvizuam pak më lart, pasi ishte edhe faktori kyç.

Gjasula, një “gur” në mesfushë- Klaus Gjasula ishte surpriza më e madhe e këtyre dy ndeshjeve kualifikuese. Pak tifozë e njihnin, madje edhe gazetarët e ngatërronin me vëllanë e tij të madh, Jurgen, i cili ka luajtur më parë me kombëtaren tonë. Klaus tregoi se është një futbollist jo vetëm i fortë fizikisht, mjaft luftarak dhe i vështirë për t’u kaluar nga kundërshtarët, por edhe mjaft teknik. Shumë i kthjellët në lojën e tij dhe bashkëpunon me shokët e repartit sikur të kishte vite që luajnë së bashku.

Image

Bare, klas dhe shumë teknik- Mesfushori nuk ishte një risi shumë e madhe, pasi vlerat e tij dihen prej kohësh. Forma e shkëlqyer që ka gjetur te Malaga në Segunda Division, është pasur edhe te kuqezinjtë tanë. Keidi në sfidën ndaj Francës ishte më i miri në fushë për ekipin tonë, duke bërë që të “fliste” me vete dy lojtar klasi si Antonio Griezmann dhe Lemar, të dy ish-shokët e tij te Los Colchoneros. Edhe mbrëmjen e së martës, ai ishte fantastik në ndërtimin e aksioneve, teknik për t’u pasur zili dhe më e rëndësishmja gabon shumë pak pasime për shokët e tij.

Memushaj, vitet kalojnë por klasi nuk humbet- Mesfushori vlonjat duket se ka rigjetur formën e tij më të mirë në këtë fillim sezoni duke qenë protagonist absolut në fitoren ndaj Islandës. Shërbeu një asist të mrekullueshëm me të majtën në golin e parë të Dermakut, ndërkohë që nuk do të ndalej këtu, pasi edhe në rastin e golit të katërt dhuroi një asist në zonë për Cikalleshin, i cili shënoi me të majtën.

Rey Manaj, një fenomen i rilindur- Nëse kombëtarja jonë arriti që të fitonte ndaj islandezëve, merita më e madhe është padyshim e Rey Manajt. Edhe pse është vetëm 22 vjeç, ai ishte më i miri në fushë për kombëtaren tonë, duke qenë protagonist në çdo aksion sulmues. Në golin e dytë shërbeu një asist me fenomenal me finte për Hysajn, i cili më në fund mori pasimin që e priste prej një jete. Nuk shënoi gol, por edhe në minutat e fundit tregoi se kishte shumë energji për të shpenzuar.

Cikalleshi, sulmuesi që na mungonte – Bomberi kavajas është bërë protagonist në ndeshjet e fundit të kuqezinjve, duke shënuar 3 gola në 3 ndeshjet e fundit. Në Francë shënoi golin e vetëm nga pika e bardhë, pasi e fitoi vetë penalltinë, ndërkohë që të martën vulosi fitoren e kombëtares me një goditje të bukur me të majtën në një 11-metërsh në lëvizje. I mungon aktivizimi i rregullt në Turqi, por me Shqipërinë s’e ka humbur kontaktin me rrjetin, duke harruar mallkimin e shtyllave.

Odise Roshi, zëvendësimi perfekt – Mesfushori fierak ka konfirmuar edhe njëherë që është një futbollist i jashtëzakonshëm kur futet në fushë në minutat e fundit për të dhënë kontributin e tij. Shënoi golin e avantazhit 3-2 dhe më pas festoi me një gjest kundër tifozëve për kritikat. Një lojë mjaft e mirë e tij, duke zgjuar shokët e ekipit në minutat e fundit. /Rozalb Lika-Koha Jone/