Rritet punësimi, Denaj: Politikat nxitëse dhanë efekt

Instat ka publikuar të dhënat për tremujorin e dytë të këtij viti për sa i përket punësimit në vend. Sipas Instat, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,4 % përgjatë tre mujorit të dytë të 2019. Në krahasim me vitin 2018, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 3,4 %, ndërkohë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, ky tregues u rrit me 2,1 %. Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15-vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2018 në tremujorin e dytë të vitit 2019, është 3,4 %. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është 4,4 % në sektorin e industrisë, 5,7 % në sektorin e shërbimeve dhe 0,3 % në sektorin e bujqësisë. Papunësia në tremujorin e dytë 2019, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,5 %. Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,9 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,6 pikë përqindje.

Në lidhje me këto të dhëna ka reaguar edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, duke thënë se rritja e punësimit është një lajm i mirë për ekonominë dhe konfirmon efektivitetin e politikave nxitëse për punësimin. “Lajm i mire për ekonominë. Anketa tremujore e forcave të punës, publikuar nga Instat, konfirmon efektivitetin e politikave nxitëse për punësimin”,-shkruan Denaj.

Për sa i përket pagave Instat njofton se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë 2019, është 52.645 lekë, duke u rritur me 4,5 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Rritje të punësimit kanë patur sektorët bujqësi, tregti, shërbimet mbështetëse, aktiviteti informatik dhe telekomunikacioni. Raporti i publikuar nga Instat tregoi sërish efektivitetin e politikave të ndërmarra nga qeveria që shkon në favor të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe nxitjes së punësimit.