Portofoli për emigracionin ka mesazh ksenofob

Mbi Ursula Von der Leyen, janë lëshuar një mijë kritika. Caktimi i një portofoli që lidh mënyrën europiane të jetesës me emigracionin, shihet si përqafim i politikave të së djathtës ekstreme. Lista e propozimeve për skuadrën e re të Komisionit Europian, u vlerësua për barazinë gjinore dhe larmishmërinë por Ursula Von der Leyen nuk ju shmang dot kritikave. Në fokus të veçantë është posti i komisionerit për mbrojtjen e mënyrës europiane të jetesës, përgjegjës edhe për emigracionin dhe sigurinë.

Portofoli iu dha ish parlamentarit grek Margaritis Shinas, pjesëtar i “Demokracisë së Re” në pushtet dhe zëdhënës aktual i Komisionit Europian. “Ne duhet të adresojmë frikën tonë legjitime dhe shqetësimet lidhur me ndikimin e emigracionit të paligjshëm në ekonomi dhe shoqëri”, shkruan Von der Leyen në letrën ku përcaktohen përgjegjësitë e Shinas.

Sipas kritikëve, portofoli orientohet drejt retorikës së djathtë. Deputetja holandeze Sophie in ‘t Veld e cilësoi lëvizjen si groteske. Për deputeten, “implikimi i evropianëve duhet të mbrohet nga kulturat e jashtme dhe një narrativë e tillë duhet të refuzohet”.