Policia zbarkon në zyrën e Kadastrës

Mbi 20 juristë dhe specialistë të Kadastrës së Vlorës janë marrë në pyetje, ndërsa dyshohet se ish-drejtuesit e kësaj zyre që u shkarkuan dy ditë më parë kanë pasur presione për mos ta regjistruar pronën sipas vendimit të gjykatës.

Pikërisht ky vendim i formës së prerë, i paekzekutuar dyshohet se është bërë shkak edhe për ndryshimin e të gjithë zinxhirit komandues të Kadastrës së Vlorës. Policia ka marrë denoncime se ish-drejtues të Kadastrës, të cilët u zëvendësuan dy ditë më parë, janë vënë nën presion për mos ta regjistruar pronën sipas vendimit të Gjykatës së Lartë dhe për të vërtetuar këto denoncime, ka nisur edhe hetimi nga Drejtoria e Policisë së Vlorës.

Për këtë arsye, mësohet se gjatë ditës së mërkurë janë marrë në pyetje mbi 20 juristë dhe specialistë të Kadastrës të cilët kanë dhënë shpjegimet e tyre në lidhje me mosregjistrimin e kësaj prone sipas vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë. Për momentin nuk bëhen të ditura detaje të tjera rreth kësaj çështje, ndërsa hetimi i nisur tashmë pritet të zbardhë këtë konflikt.