Ndihma juridike falas, Balla: Qarku i Elbasanit është i pari që përfiton këtë shërbim

Bashkia e Elbasanit dhe Ministria e Drejtësisë firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit për ofrimin e ndihmës juridike parësore falas. Ligji për ndihmën juridike falas është një ligj i ri, i miratuar rishtaz, si pjesë e pakës së Reformës në Drejtësi.
Në fillim të muajit tetor, pranë Bashkisë së Elbasanit do të funksionojë zyra, në të cilën dy punonjës të Ministrisë së Drejtësisë do të ofrojnë ndihmën juridike falas. Kjo ndihmë konsiston, jo vetëm në këshillim ligjor, por edhe në përpilim të dokumentave apo kërkesave që do të paraqiten pranë gjykatës.
Qarku i Elbasanit është i pari qark që po e përfiton një shërbim të tillë, të cilin Ministria e Drejtësisë synon ta hapë në të gjitha qarqet e vendit.

Përmes një postimi në rrjetin social faceboo, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh dhe drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla ka falendëruar ministren Gjonaj për punën intensive dhe të vazhdueshme lidhur me implementimin e plotë të shumë ligjeve të paketës së Reformës në Drejtësi, që kanë pasur për synim një asistencë më të mirë ndaj qytetarëve.

“Ligji për ndihmën juridike është një nga ato ligje që do të zgjidhë një prej problematikave më të vështira të gjithë këtyre viteve për qytetarët që kanë nevojë për ndihmë juridike.
Jam gjithashtu mirënjohës që Ministria e Drejtësisë zgjodhi Elbasanin si bashki e parë ku do të nisë funksionimi i këtyre qendrave”, deklaron Balla.

Numri dy i PS Balla i bën apel çdo qytetari që të shfrytëzojë shërbimin e kësaj zyre për çdo problem të karakterit juridik.

“I bëj thirrje çdo qytetari të Elbasanit që ka nevojë për konsultë juridike tashmë ia ka këtu punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë të cilët do t’ju asistojnë dhe do t’ju japim këshillën e duhur juridike për tu drejtuar më pas drejt zgjidhjes së problemit tuaj”, shprehet Balla.