Meta ironi me Ramën: Nëse merr negociatat do t’a dekorojë me Urdhrin e Skënderbeut

Presidenti Ilir Meta deklaroi se objektivi i klasës politike dhe ai i Presidentit të Republikës është që Shqipëria të marrë sa më shpejt hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

I pyetur nga mediat në konferencën për shtyp, nëse kreu i shtetit kishte xhelozi nëse kryeministri merrte çeljen e negociatave, Presidenti tha se ky do ishte lajmi më i mirë për çdo shqiptar dhe çdo zyrtar të vendit.

“Xhelozi!! Nuk ka arsye, madje nëse Rama merr çeljen e negociatave më 18 tetor unë deklaroj publikisht se Edi Ramën do e dekorojë. Do t’i japë Urdhrin e Skënderbeut, ai le të mos e pranojë, unë do e dekorojë publikisht”,- tha Meta.

I pyetur nëse do e dekoronte dhe Lulzim Bashën, Presidenti tha: “Bashën jo, sepse ai ka braktisur institucionet. As Monikën nuk e dekoroj, sepse i ka dhënë besën Bashën për braktisjen e institucioneve. Vetëm Ramën”,- tha kreu i shtetit me humor.