Malaj: PS nuk duhen fitore nga “krushqitë” mes biznesit, politikës dhe individëve me CV kriminale

Në krizën aktuale që ka përfshirë vendin dhe problemet që ka PS-ja, ish-ministri vlerëson qëndrimet e Ditmir Bushatit duke i cilësuar si mesazhet e duhura për të kuruar problemet që ka sot qeverisja

Intervistoi: Mili Xhani

Ish-ministri dhe ish-deputeti i PS-së për disa legjislatura, Arben Malaj, shprehet se zhvillimet brenda Partisë Socialiste jashtë zhgënjyese për çdo socialistë. Në një intervistë për “Koha Jonë” Malaj deklaron se “babëzia e disa individëve ka dëmtuar PS dhe qeverisjen e vendit”. Ish-ministri e sheh rrezikun te përqendrimi i pushtetit ekonomik e politikë në pak duar. Ndërsa shton se “një pjesë e lidershipit të ri të PS e kanë përqafuar mentalitetin bolshevik “ i gjithë pushteti sovjetëve””. Në krizën aktuale që ka përfshirë vendin dhe problemet që ka PS-ja, ish-ministri vlerëson qëndrimet e Ditmir Bushatit duke i cilësuar si mesazhet e duhura për të kuruar problemet që ka sot qeverisja dhe vet partia më e madhe në pushtet. Malaj thotë se PS-së nuk i duhet pushtet absolut që dëmton parimet e demokracisë së një vendi. “Ndërsa fitoret e mëdha pa konkurrentë politike janë simptoma të sëmundjes së demokracisë dhe jo garanci e mirë funksionimit të saj. PS nuk i duhen fitore që vijnë nga “krushqitë” midis biznesit dhe politikës, me individëve me CV kriminale. PS nuk i duhen fitore që sigurojnë pushtet absolute sepse sipas studiuesit të politikës ai korrupton në mënyrë absolute”,- deklaron Arben Malaj.

Z.Malaj që nga muaji shkurt Shqipëria është në krizën më të rëndë të viteve të fundit. Palët në konflikt përfshirë dhe ndërkombëtarët janë ndalur vetëm në çështjet që kanë të bëjmë me anën ligjore dhe qëndrimeve politike, pa folur për efektet e tjera të kësaj situate. Si ekspert i ekonomisë, cila është kostoja më e madhe që i ka sjellë vendit kjo krizë?

Kostoja më e madhe e krizave politike është humbja e shpresës për të ardhmen, e  cila ushqen braktisjen e vendit. Këtu nuk përfshihen ata që shkojnë për studime, por largimi i pjesës më dinamike dhe të mirë-arsimuar të vendit. Reduktimi i kapitalit human dhe social në sasi dhe cilësi është varfërues për vendet në zhvillim. Çdo kosto tjetër ekonomike e buxhetore mund të rikuperohet, pasojat e tyre mund te zbuten me politika aktive pro rritjes ekonomike dhe stabilitetit të financave publike. Ndërsa kostot e braktisjes së vendit, kostot e tkurrjes demografike dhe plakjes së vendit, do të jenë jo të lehta dhe afatgjata

Në tetor Shqipëria pret një vendim për çeljen e negociatave. Në situatën aktuale politike, pas votimeve të 30 qershorit dhe raportit të OSBE/ODIHR mendoni se vendi do të marrë një përgjigje pozitive?

Çelja e negociatave ne Tetor është shumë e vështirë, por jo e pa mundur. Nuk është Evropa që po na mbyll derën. Jemi ne që me krizat tona të përhershme, vetë-pengohemi, ecim ngadalë, zvarritemi, rrëzohemi, përleshemi, çohemi, ecim disa hapa, vetë rrëzohemi dhe përleshemi pafund për gjysmën bosh të dështimeve tona të përsëritura. Integrimi ynë evropiani po i ngjan një udhëtimi në një tunel që nuk ka dritë në fund të tij. prandaj inspirimi i Nënë Terezës kur lutet: “Në vend që të mallkoni errësirën, ndizni një qiri”, duhet të jetë udhërrëfyesi për të gjithë ne. Aktualisht Gjermania, SHBA dhe BE me mesazhet e qarta edhe të ditëve të fundit po dëshmojnë se e mbështesin çeljen e negociatave, se e dëshirojnë daljen e Ballkanit Perendimor nga tuneli errësirës së tejzgjatur të konflikteve dhe luftërave. Me angazhimet e tyre konkrete partnerët tanë strategjik po ndezin nga një qiri në errësirën e dështimeve tona për integrim.

Departamenti i Shteti pak ditë më deklaroj se – zoti Palmer “do të udhëheqë përpjekjet tona për të forcuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe begatisë në rajon dhe për t’u përqendruar në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore.” Ndërsa sipas DW theksoj se një pjesë e madhe e deputetëve të CDU/CSU-së janë të prirur t’i japin Shqipërisë një “Po! me kushte”, por ka edhe një pakicë të vogël, por të fortë, që mendon se Shqipëria nuk është ende gati as për këtë”. Pas kësaj mbështetje publike, nëqoftëse negociatat nuk hapen përgjegjësia e dështimit mbetet vetëm e jona. Është momenti që politikanët tanë përpara datës 24 shtator të arrijnë një marrëveshje për reformat e thella në fushën e demokracisë, pavarësisë së gjyqësorit, shtetit ligjore dhe demokracisë funksionale.

Ish-ministri Ditmir Bushati aktualisht është i vetmi zë brenda PS që po flet për problemet që ka qeverisja dhe vetë Partia Socialiste. Së fundi ai ka akuzuar drejtuesit e PS se kanë lejuar socialistët të përfaqësohen, si në rastin e Shkodrës, me persona me probleme ligjore dhe ka kërkuar reformim të PS. Shqetësimet e Bushatit i shini si një shqetësim real për rrugën që po ndjek PS apo siç thonë përfaqësues të PS qejf mbetje personale e ish-ministrit ndaj Kryeministrit?

Janë jo pak dhe jo vetëm socialistë që ndjejnë zhgënjim për disa zhvillime brenda Partisë Socialiste. Aktualisht PS vazhdon të “milet” në mënyrë të pamëshirshme nga disa “mjaftistë të babëzitur”. Kjo e ka dobësuar PS-në, që përfaqësonte partinë politike më demokratike, më transparente dhe me kontribute të spikatura në tranzicionin e vështirë shqiptarë. Babëzia e disa individëve ka dëmtuar PS dhe qeverisjen e vendit. Kjo u pa qartë edhe në zgjedhjet e fundit vendore 2019, ku shkalla e pjesëmarrjes ishte shumë e ulët dhe disa fitues janë realisht humbës në qoftë se vlerësohet mesazhi politik i nivelit shumë të ulët të pjesëmarrjes në votime apo numri i konsiderueshëm i votave kundër tyre edhe kur nuk kishin përballë opozitën.

Në bashkinë e Shkodrës pjesëmarrja arriti vetëm në 6 përqind, ndërsa në Tiranë u konstatuan mijëra vota kundër. Po kështu, disa raste të prekjes nga ligji dekriminalizimit i disa të mandatuarëve nga PS për deputetë në 2017 dhe kryetar bashkie në 2019, e bënë real dhe të dobishëm shqetësimin e ngritur nga kolegu Ditmir Bushati. Ditmiri meriton mirënjohje jo vetëm brenda PS-së, por edhe nga publiku shqiptar për qartësinë, vendosmërinë dhe koherencën për të ndërgjegjësuar opinionin publik, por edhe drejtuesit e PS-së për këto shqetësime dhe risqe reale. Çdo tendencë e “strukturave paramilitare shpifëse” të organizuara dhe financuar direkt ose indirekte nga “mjaftistët e babëzitur” për të sulmuar çdo individë, ekspertë, profesorë, akademikë por edhe socialistë që guxon të tregoj plagët dhe të sensibilizoi domosdoshmërinë dhe dobishmërinë e shërimit të tyre, dëmton PS-në dhe qeverisjen e vendit.

Nëse këto sëmundje nuk parandalohen, nëse plagët nuk kurohen që në simptomat e para, nëse rrënjët e sëmundjeve nuk luftohen me reforma të thella modernizuese të partive politike dhe mirë-qeverisjes së vendit, ato dëmtojnë të tashmen dhe të ardhmen e çdo shqiptari.

Qeveria dhe PS kanë qenë këto vite në qendër të disa akuzave dhe skandaleve të forta. Si e shpjegoni faktin që shumica e socialistëve vazhdojnë të miratojnë në heshtje çdo veprim jo normal të partisë dhe qeverisë së tyre?

Krizat politike e cenojnë rëndë funksionimi i shtetit ligjore. Ndarja, balanca dhe kontrolli i pushteteve përkdeqësohet. Aktualisht është rritur rreziku që vjen nga përqendrimi i pushtetit ekonomik e politikë në pak duar. Një pjesë e lidershipit të ri të PS e kanë përqafuar mentalitetin bolshevik “ i gjithë pushteti sovjetëve”. Fitoret e mëdha, fitoret që cënojnë e lirinë e votuesve për të përzgjedhur kryetarët e bashkive dhe deputetët, fitoret që minimizojnë oponencën dhe opozitën e një vendi nuk janë provë force, por cenim dhe varfërim i lirive jetike të fituara pas vitit 1991.

Kontrolli partiak mbi çdo mundësi punësimi apo promovimi, kontrolli dhe kufizimi në pak duar i fondeve, tenderave e koncensionet publike, ku më kritike është kapja e shtetit nga PPP-të në nivel bashkie dhe qeverie, i ka bërë votuesit gjithnjë më shumë të varur nga qeveritë. Pikërisht këtë vartësi deri në mbijetesë të votuesve, partitë jodemokratike e keq-përdorin për të mbijetuar politikisht sa më gjatë dhe me përfitime reale në sa më pak individë që synojnë pushtet absolut, ekonomik e politikë. Modele të tilla i varfërojnë akoma më shumë dhe për kohë jo të shkurtër popujt dhe vendet e tyre.

Si e gjykoni një justifikim që përdorët gjerësisht nga njerëz afër kryeministrit që thonë se pavarësisht problemeve të qeverisjes, Rama është i vetmi që i ka garantuar PS fitore dhe pushtet kaq të madh?

E para historia bazohet në fakte dhe faktet janë kokëforta. PS edhe pse një ish-parti komuniste erdhi në pushtet që në vitin1997 dhe bashkëqeverisi për 8 vite. Gjatë kësaj periudhe PS ka arritje dhe kontribute të spikatura si në modernizimin e vet-vetes dhe të qeverisjes së vendit. Ndërsa fitoret e mëdha pa konkurrentë politike janë simptoma të sëmundjes së demokracisë dhe jo garanci e mirë funksionimit të saj.

PS nuk i duhen fitore që vijnë nga “krushqitë” midis biznesit dhe politikës, me individëve me CV kriminale. PS nuk i duhen fitore që sigurojnë pushtet absolute sepse sipas studiuesit të politikës ai korrupton në mënyrë absolute. Shqipërisë nuk i duhen fitore të asnjë forcë politike që ushqejnë arrogancë dhe keq qeverisjen. Kaq mjafton që të kuptohet se këto fitore i shërbejnë një grupi gjithnjë e më të vogël në biznes dhe politikë që varfërojnë gjithnjë e më shumë vendin dhe popullin e tyre.

Në çdo vend ku vritet shpresa, vritet e ardhmja, rritet pasiguria dhe pa qartësia, ku rritet braktisja e vendit, ku ikin të rinjtë, ku ikin edhe të mirë asimuar, ku ikën kushdo që gjen një mundësi për të ikur, këto vende do të varfërohen. Përballja me korrupsionin dhe kapjen e shtetit nuk është sfidë vetëm e kësaj qeverie. Ajo do të jetë një kërcënim real deri kur shtetit ligjore i bazuar tek ndarja, balanca dhe kontrollit i pushteteve do të jetë jo një parim teorik por një standard real i demokracisë funksionale nëpërmjet institucioneve kushtetuese të qeverisjes të vendit.