“Komisioni i Venecias nuk është si ca diplomatë që sot flasin, nesër shohin punët e tyre”

Presidenti Ilir Meta u shpreh i gatshëm të shkojë në Venecia më 11 tetor para komisionit për të sqaruar pozicionin e tij ndërkohë i kërkoi medias të mos bien pre e datës 11 tetor,  pasi 18 tetori (vendimi për negociatat) ka rëndësi më të madhe për vendin. Bëhet fjalë për mbledhjen e Këshillit të Europës për të vendosur nëse do të çelen negociatat apo jo me Shqipërinë.

“Jam i hapur të shkoj në Venecia më 11 tetor. Çdo përpjekje për të sajuar një datë propagandë është për të shmangur një datë më të rëndësishme që është përpara që është 18 tetori. Ftoj të gjithë të merren me 18 tetorin”,- tha Presidenti.

Kreu i shtetit vlerësoi dhe rolin që ka Komisioni i Venecias në çështjet juridike. “Venecia është një komision tejet serioz, nuk janë si ata diplomatët që rrinë ca kohë këtu pastaj shohin punët e tyre. Vendimet që ata marrin janë raste precedentë për gjithë shtetet e tjera”,- tha Meta.

Kreu i shtetit deklaroi se i ka dhënë një raport paraprak delegacionit të Komisionit të Venecias dhe nënvizoi: “Bashkëpunimi me komisionin e Venecias do të jetë jashtëzakonisht i shkëlqyer dhe transparent”.