Kolaudimi i dyfishtë i automjeteve, Haxhi: Konstatohen shkelje për peshën

Në terren ka zbritur pajisja, e cila bën kontrollin për frenat, ndriçimin, ndotjen si dhe peshën. Nga verifikimet në terren ka rezultuar se problematikë kryesore qëndron mbipesha e automjeteve, duke sjellë edhe shkatërrim të rrugëve në vend por nuk mungojnë edhe ato të sistemit të frenimit si dhe të ndotjes.

”Kemi parasysh që kemi hasur automjete pa kolaudim, kemi bërë dhe ne kontrollin teknik dhe kemi patur problematika në lidhje me sistemin e frenimit, një pjesë e madhe janë mbipeshat si dhe dokumentacione të ndryshme që ne i kontrollojmë në terren nga legjislacioni”, tha Elton Haxhi, Shef i Task-Forcës për Transportin Rrugor.

Vetëm për dy orë grupi i Task-Forcës ka vendosur mbi 10 akt konstatime. Ky aksion i policisë rrugore së bashku me task-forcën e transportit rrugor do të shtrihet në 6 pika të vendit dhe synon minimizimin e ndotjes nga automjetet dhe rritjen e sigurisë rrugore. Skanerit të kontrollit do i nënshtrohen linjat qytetëse, ndërqytetëse, transporti i udhëtarëve dhe transporti i mallrave.