Kemi mbingarkesë nxënësish – Raporti i 4-t më i lartë i nxënësve për mësues në Europë

Në Bashkimin Europian ka një mësues çdo 14.7 nxënës të arsimit bazë. Kjo normë varion ndjeshëm mes vendeve anëtare të unionit,  nga 9 deri në 19. Po në Shqipëri sa është kjo normë? Referuar Të dhënave të vitit akademik 2017-2018, në mënyrë që të kemi një bazë krahasimore kronologjike të njëjtë me atë të Eurostat, rezulton se në Shqipëri ka një mësues për 16.4 nxënës.

Një raport i tillë e vendos vendin tonë në krye të shteteve europiane, më saktë në vendin e 4-t,  për nga numri i madh i nxënësve për një mësues. Në përllogaritjen e numrit të nxënësve për mësues, kemi përjashtuar arsimin privat si dhe është marrë në konsideratë arsimi deri në 9-vjeçar.

Instituti i Statistikave ndërkohë e sqaron më shumë këtë raport, sipas qyteteve, dhe këtu diferencat janë të ndjeshme. Gjirokastra është qarku me normën më të ulët, në 11.7 nxënës për një mësues, ndërkohë që nga krahu tjetër kemi kryeqytetin, Tiranën, me 25.3 nxënës për një mësues.

Problemin e mbingarkesës së nxënësve e vuan edhe qarku i Durrësit, me rreth 22 nxënës për mësues. Vendi me raportin më të keq në Europë të mësuesve për numër nxënësish është Franca, me 19 nxënës për një mësues. Vendi me performancën më të mirë ndërkohë është Luksemburgu. Raporti i nxënësve për mësues shihet gjerësisht si në ndër indikatorët më të mirë të cilësisë së procesit të mësimdhënies.