Jo vetëm gjyqtarët e prokurorët – ILDKPKI, Prokuroria e Policia, verifikojnë te ALUIZNI 900 ndërtime pa leje

Nuk kanë qenë vetëm Komisionet e Vetting-ut ato që së fundmi i janë drejtuar institucioneve përkatëse për ndërtimet pa leje të gjyqtarëve e prokurorëve. Scan ka zbardhur të dhënat zyrtare të komunikimeve të ALUIZNI-it me institucionet ligjzbatuese, nga të cilat rezultojnë se gjatë vitit të shkuar Agjencisë së Legalizimit të Ndërtimeve pa leje i janë dërguar rreth 900 kërkesa për informacion mbi zyrtarë të administratës.

Sipas të dhënave të Agjencisë, ajo u ka dhënë përgjigje 760 kërkesave të ILDKPKI mbi subjekte që i nënshtrohen verifikimit të kontrollit të të ardhurave dhe pasurive.  Policia dhe Prokuroria kanë dërguar pranë ALUIZNI-it 136 kërkesa për informacion.  Ndërkohë që në total numri i kërkesave për informacion nga ALUIZNI arrin mbi 1,500.

Paralelisht, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit janë dërguar pranë Agjencisë së Legalizimeve dhe Urbanizimit të Ndërtimeve Informale 169 kërkesa për informacion lidhur me gjyqtarë e prokurorë të cilët kanë ndërtuar apo zotërojnë ndërtime pa leje.. ALUIZNI bën dije se i është përgjigjur Komisionit të Vetting-ut lidhur me kërkesat për informacion nëse subjektet rezultojnë aplikues për legalizim,  apo të dhëna konkrete mbi legalizimet në emër të tyre,  fazën në të cilën ndodhet praktika për legalizim, deri edhe pagesat e kryera nga subjektet për efekt të legalizimit.