Apple TV+ dhe iPhone 11- Kompania i jep prioritet shërbimeve. Do të konkurrojë me Netflix dhe Disney

Apple deklaroi se shërbimi i televizionit në rrjet do të nisë më 1 Nëntor dhe do të kushtojë 5 dollarë në muaj,  ndërkohë që prezantoi edhe modelet e fundit të iPhone. Gjiganti i teknologjisë po arrin një pikë ku do përqëndrohet më shumë te shërbimet se sa te pajisjet hardware.   Apple TV+ do të jetë i disponueshëm në mbi 100 vende dhe blerësit e një iPhone, iPad apo Mac do të përfitojnë një vit falas të shërbimit të televizionit në rrjet.

Apple prezantoi edhe iPhone 11, që do të vijë me 2 kamera të pasme, përfshirë një lente me kënd “ultra” të gjerë si dhe gjeneratën e re të procesorëve, të quajtur A13.  Çmimi për produktin e ri do të nisë nga 699 dollarë.   iPhone 11 Pro do të ketë 3 kamera të pasme; me kënd të gjerë, telefoto dhe kënd “ultra” të gjerë.    Modeli mund të bëjë video me të tre kamerat e pasmë si dhe me atë të përparmen në të njëjtën kohë dhe nis në 999 dollarë. iPhone 11 Pro Max me një ekran më të madh, nis në 1,099 dollarë.   Apple duket se ndodhet në pritje deri sa të prezantojë telefonat 5G me internet super të shpejtë vitin e ardhshëm.  Megjithatë, shërbimet si përmbajtjet televizive që do të konkurrojnë me Netflix dhe Walt Disney, duket se po marrin prioritet.

Strategjia e re vjen ndërkohë që shitjet e iPhone kanë rënë në dy tremujorët e fundit. Apple lajmëroi edhe shërbimin e videolojërave, Apple Arcade, që do të nisë në 19 Shtator dhe kushtojë 5 dollarë në muaj.   Apple lajmëroi gjithashtu përditësime të Apple Watch dhe iPad.  Seria 5 e Apple Watch do të ketë “always-on display”, jetëgjatësi të baterisë prej 18 orë dhe thirrje ndërkombëtare të emergjencës në mbi 150 shtete.  Çmimet nisin në 399 dollarë dhe 499 dollarë me shërbime celular.