Spaho: Raporti i OSBE/ODIHR-it, konfirmon krizën e thellë dhe të gjithanshme të vendit

“Komisioni Meta”, nënkryetari i PD-së për “Koha Jonë”: Pas kësaj askush s’ka dyshime që vendi është kthyer si para ’90-ës

Intervistoi: Herion Mesi

Duke marrë shkas nga ngritja e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho deklaron për “Koha Jonë” se kryeministri Edi Rama nuk bën dot pa i kapur të gjitha institucionet dhe pushtetet e vendit, duke shtuar se i vetmi pushtet që i ka mbetur pa kapur është Presidenti i Republikës, të cilin dëshiron ta akaparojë me aksionin që ka ndërmarrë për shkarkimin e Presidentit. Dhe në këtë kontekst, Spaho shprehet se pas kësaj askush nuk mund të presë që vendi të jetë ndryshe nga sa ishim para viteve ’90-të. Nga ana tjetër, Spaho Opozita nuk ka  iluzione se Rama dhe veglat e tij do lejojnë të mbahen zgjedhje në 13 Tetor sikurse e kërkon Kushtetuta dhe dekreti i lëshuar nga Presidenti në zbatim te Kushtetutës. Nënkryetari i demokratëve lidhur me vendimin e mazhorancës për të refuzuar dekretet e Presidentit të disa ligjeve që i ktheu në Kuvend për rishqyrtim në Kuvend thekson se për mazhorancën, Edi Ramën dhe deputetët e majtë në Kuvend, më të rëndësishme janë interesat e oligarkëve, të cilët përfitojnë nga këto ligje si dhe ndarja e fitimeve me ta. Në lidhje me krizën politike dhe sociale që po kalon vendi prej disa muajsh, Spaho thekson se sot disponojmë një dokument të shkruar, raportin e OSBE/ODIHR-it, i cili në emër të komunitetit ndërkombëtar konfirmon krizën e thellë dhe të gjithanshme të vendit, rënien e institucioneve themeltare të shtetit si Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet demokratike, KQZ, Kolegji Zgjedhor dhe Prokuroria.

Të hënën nisi sesioni i ri parlamentar, ku mazhoranca duket e vendosur për të rrëzuar në bllok dekretet e Presidentit që muajin e kaluar vendosi ti rikthejë për shqyrtim në Kuvend, ligje problematike si ai i koncesioneve, ndërtimi i rrugëve, apo edhe ai i Akademisë së Shkencave. Si e lexoni këtë vendosmëri të PS-së për të mos reflektuar ndaj problematikave të evidentuara dhe argumentuara nga Presidenti?

Nuk është për t’u habitur me vendosmërinë e PS-së për të shkuar përpara me ligjet të cilat Presidenti i Republikës i ka rrëzuar me dekret, duke argumentuar me hollësi shkeljet kushtetuese, mos mbajtjen në konsideratë të interesave të qytetarëve, si dhe elementet e shumtë të praktikave korruptive të gjetura në to. Për mazhorancën, Edi Ramën dhe deputetët e majtë në Kuvend, më të rëndësishme janë interesat e oligarkëve, të cilët përfitojnë nga këto ligje si dhe ndarja e fitimeve me ta. Ndokush mund të thotë që ky është ekzagjerim dhe pjesë e luftës politike. Dua t’ju kujtoj se çështjen e koncensioneve apo PPP-ve, kostot jashtëzakonisht të larta të rrugëve, i kanë ngritur si shqetësime të mëdha me rrisqe të larta për stabilitetin financiar të vendit, FMN, Banka Botërore, BERZH dhe institucionet e Bashkimit Europian. Këto të fundit kanë ngritur zërin edhe për aferën e Teatrit Kombëtar, prishja dhe tenderimi i të cilit është korruptiv dhe në kundërshtim me praktikat dhe legjislacionin e BE-së.

Duke qenë se tashmë ju jeni jashtë Kuvendit, a ka opozita mekanizmat e duhura për t’i penguar këto ligje?

Ne e kemi deklaruar qartë dhe prerë se në qeverisjen e ardhshme të opozitës, të gjitha marrëveshjet të cilat nga hetimi i hollësishëm që po bëjmë dhe do bëjmë, rezultojnë korruptive dhe në kundërshtim me interesat e qytetarëve, jo vetëm do të anulohen, por përgjegjësi do të mbajnë si titullarët e institucioneve, ashtu edhe të gjithë zyrtarët që janë të përfshirë në hartimin dhe miratimin e tyre. Ka ardhur koha që përgjegjësia të materializohet dhe individualizohet, dhe çdo njeri që është i involvuar të shkojë në burg për dëmet e mëdha prej qindra milionë euro që i shkaktojnë vendit dhe qytetarëve.

Po ashtu, PS duket e vendosur për shkarkimin e Presidentit ilir Meta? Çfarë do të ndodhë me opozitën dhe zgjedhjet e 13 tetorit?

Edi Rama nuk bën dot pa i kapur të gjitha institucionet dhe pushtetet e vendit. Sot ai kontrollon tërësisht pushtetin ekzekutiv, atë legjislativ, pushtetin vendor, influencon drejtësinë, kontrollon pjesën dërrmuese të medias, Prokurorinë, KQZ-në, Kolegjin Zgjedhor. I vetmi pushtet që i ka mbetur pa kapur është Presidenti i Republikës, të cilin dëshiron ta akaparojë me aksionin që ka ndërmarrë për shkarkimin e Presidentit. Pas kësaj askush nuk mund të presë që vendi të jetë ndryshe nga sa ishim para viteve ’90-të. Opozita nuk ka  iluzione se Rama dhe veglat e tij do lejojnë të mbahen zgjedhje në 13 Tetor sikurse e kërkon Kushtetuta dhe dekreti i lëshuar nga Presidenti në zbatim te Kushtetutës. Ju e patë se si raporti i ODIHR-it i cilësonte të kapura nga regjimi dhe në shërbim të tij, institucione të tilla si KQZ, Kolegji Zgjedhor dhe Prokuroria detyra e të cilëve është të organizojnë dhe sigurojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Opozita tentoi dhe protesta masive dhe mosbindje civile, por rrëzimi i Edi Ramës dhe zgjedhjet e parakohshme nuk duken në horizont. Si do t’ia arrijë opozita këtij qëllimi, duke qenë se mazhoranca është e vendosur që zgjedhjet e ardhshme parlamentare t’i realizojë pas dy vitesh?

Vendi është në krizë të plote politike, kushtetuese, institucionale dhe ligjore e shoqëruar kjo me shtrirje në sektorë të tjerë të jetës si ekonomia e sfera sociale. Kriza e mësipërme formën e saj më të plotë e merr me kapjen e pushtetit nga një dorë e vetme, në këtë rast Edi Rama, dhe shprehjen më të mprehtë në krizën e zgjedhjeve, paaftësinë e vendit për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sot ekzistencën e krizës tërësore të vendit nuk e artikulon vetëm opozita. Ne sot disponojmë një dokument të shkruar, raportin e OSBE/ODIHR-it, i cili në emër të komunitetit ndërkombëtar konfirmon krizën e thellë dhe të gjithanshme të vendit, rënien e institucioneve themeltare të shtetit si Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet demokratike, KQZ, Kolegji Zgjedhor dhe Prokuroria. Raporti jo vetëm konstaton gjendjen e rëndë ku jemi aktualisht, por kërkon dialog të menjëhershëm midis palëve politike për gjetjen e zgjidhjeve, që jo vetëm të kapërcehet gjendja, por më e rëndësishme, mos përsëritja e saj në të ardhmen.

Sigurisht vendi ka nevojë për ndryshime në sistemin politik, institucional dhe ligjor, por rruga e vetme që na ndan nga kriza është organizimi sa më shpejt i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e parakohshme, të lira dhe të ndershme, pavarësisht retorikës së Kryeministrit do të mbahen, sepse nuk ka rrugë dhe zgjidhje tjetër. Këtë e di edhe Kryeministri. Opozita, sikurse theksoi z. Basha para disa ditësh, do të publikojë një platformë, e cila do të përmbajë propozimet tona për reformën në sistemin politik, reformën zgjedhore, si dhe përmirësimet ligjore për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve, një pjesë e të cilëve me veprimet e tyre, i shkaktojnë vendit dëme të mëdha dhe e kalojnë pa u ndëshkuar.

Kjo platformë do të shërbejë jo vetëm për të dhënë rrugën e kapërcimit të krizës, por edhe si një hap i vullnetit të mirë nga opozita për të krijuar kushte që Bashkimi Europian të thotë “Po” në mesin e muajit Tetor, hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ne do të japim alternativën tonë për rrugën e kapërcimit të krizës, sikurse presim që edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo nuk do të thotë që do të heqim dorë nga protestat popullore. Në çdo rast protestat do të jenë shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe e padurimit të tyre që vendi të hyjë sa më shpejt në rrugën e normalitetit, sepse qytetarët janë të parët dhe ata që vuajnë më shumë papërgjegjshmërinë në qeverisje të mazhorancës.

A ka ndonjë lëshim nga ana opozitës lidhur me kërkesat e saj për pjesëmarrjen e saj në zgjedhje? Kam parasysh kërkesat për zgjedhje pa Edi Ramën kryeministër dhe krijimin e një qeverie transitore.

Qeveria tranzitore është e domosdoshme që të plotësojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe t’i zbatojë ato në procesin zgjedhor. Edi Rama nuk mund të jetë në krye të kësaj qeverie, sepse zgjedhjet e vitit 2017 dhe të ashtuquajturat zgjedhje të 30 Qershorit, treguan qartë dhe prerë se si ai nuk ndahet nga krimi i organizuar dhe manipulimi i zgjedhjeve. Ai manipuloi, bashkëpunoi me krimin e organizuar, përdori administratën publike dhe policinë, resurset publike, etj. edhe në kushtet kur kandidoi i vetëm, administroi procesin dhe e nxori vetë rezultatin. Nuk është ndonjë gjëmë e madhe nëse Rama nuk është disa muaj Kryeministër. Nëse është i bindur që populli e do, le të shkojë në zgjedhje të lira e të ndershme, i barabartë me të tjerët dhe le t’i fitojë ato. Refuzimi i tij konstant tregon frikën që ka nga urrejtja popullore dhe fatin që e pret më pas.