Raporti i OSBE/ODHIR, Kryemadhi: Në 37 faqe, nuk e gjej dot fjalën, zgjedhje të lira dhe të ndershme

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në  një intervistë për “News 24”, ka komentuar raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Kryemadhi shprehet se në dokumentin e ndërkombëtarëve nuk ka asnjë vlerësim për 30 qershorin, por vetëm kritika.

Pyetje: Ju thoni që kryeministri duhet të bënte një reflektim, pas këtij raporti që ka nxjerrë OSBE/ODIR por nga ana tjetër kryeministri Rama në rrjetin e tij social tëitter ka deklaruar se ky dokument certifikon zgjedhjet e 13 qershorit?
Kryemadhi: Tani unë kam përshtypjen që zoti Rama ka probleme me leximin, nuk mund të them dot me përkthimin se përkthimi të gjithë mund të kemi problem për ti përkthyer se të gjithë i përkthejmë dhe interpretojmë sipas vetes sonë. Unë mendoj që zoti Rama, jo vetëm zoti Rama të gjithë kemi këndvështrime të ndryshme përsa i përket jetës, shoqërisë, familjes, ngjyrave, mënyrës së jetesës, shëndetit mendor, shëndetit të përgjithshëm të trupit. Por zoti Rama ka zgjedhur rrugë të tjera për t”u kujdesur për veten, ne kemi zgjedhur rrugë të tjera. Por raporti i OSBE/ODHIR është shumë i qartë. Raporti i OSBE/ODHIR thotë se dekretetet e presidentit janë të ligjshme dhe gjykohen vetëm në Gjykatë Kushtetuese. Raporti i OSBE/ODHIR thotë që vettingun zoti Rama e përdori për të shantazhuar gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor. Raporti i OSBE/ODHIR thotë që prokuroria nuk dënon dhe nuk ndëshkon krimin elektoral. Raporti i OSBE/ODHIR thotë që qytetarët shqiptarë nuk kishin mundësi zgjedhjeje. Raporti i OSBE/ODHIR thotë që u nxitua për të krijuar një parti politike dhe e regjistruan në mënyrë të paligjishme. Raporti i OSBE/ODHIR thotë që KQZ ishte komplet politik dhe me veprimtari politike partiake. Raporti i OSBE/ODHIR thotë që komisionet zgjedhore ishin të pabalancuara politikisht. Dhe unë nuk e gjej dot, në 37 faqe nuk e gjej dot fjalën që zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Por gjej vetëm mbi 40 e sa argumenta që tregojnë që zgjedhjet kanë dështuar, pra nuk ishin zgjedhje por votime një partiake.