Shqipëria dhuron spektakël dhe mund me “poker” Islandën (VIDEO)

Kombëtarja jonë rigjen fitoren, entuziazmin dhe merr një sukses shumë të rëndësishëm që na mban në lojë për kualifikueset e “Euro 2020”. Skuadra jonë ka fituar me “poker” 4-2 ndaj Islandës, në një ndeshje të bukur dhe të mbushur me shumë emocione.

Trajneri Edy Reja e nisi ndeshjen me plotë 6 ndryshime nga ndeshja me Francën, duke hedhur në fushë Dermakun, Lenjanin, Gjasulën, Memushajn, Cikalleshin dhe Manajn. Ndeshja nisi mjaft mirë për ekipin tonë, teksa në minutën e 13-të, Manaj krijoi një shans të artë, por sulmuesi ishte i pafat, pasi goditja e tij përfundoi në shtyllë. Sulmuesi i talentuar i kombëtares sonë do të ishte protagonist në fraksionin e parë duke qenë këcënimi kryesor në portën e islandezëve. Këmbëngulja e kuqezinjve do të shpërblehej në minutën e 33-të, teksa Dermaku shfrytëzon më së miri një krosim të Memushajt, duke kërcyer më lart se të tjerët brenda zonës. Loja e skuadrës së Rejës do të ishte mjaft e mirë deri në fundin e pjesës së parë duke vazhduar me aksione sulmuese.

Fraksioni i dytë ndërkohë do të niste në mënyrën më të keqe, teksa Sigursson përfiton nga një përgjumje e Ismjaljit, që gabon në largimin e topit brenda zonës. Shqipëria nuk humbet kohë dhe hidhet në sulm. Në minutën e 52-të, Hysaj nis vet një aksion të bukur, kombinon me Manajn, i cili e shërben me finte dhe më pas do të ishte shkodrani që me të majtën shënoi. Ky ishte goli i parë për kapitenin e kombëtares sonë në karrierë. 7 minuta më pas, një tjetër gabim i mbrojtjes sonë, teksa i sapofuturi në fushë për skuadrën islandeze, Sigthorsson ka shënuar golin e barazimit.

Loja më pas u bë shumë konfuze për kuqezinjtë tanë që lënë shumë hapësira duke i dhënë mundësinë islandezëve që të krijonin shanse të mira shënimi. Gjithsesi në 10 minutat e fundit, kombëtarja jonë do të arrinte që të shënonte dy gola me protagonist Odise Roshi. Karta fituese e hedhur në fushë nga Reja në pjesën e dytë rezultoi vendimtar duke shënuar një gol të bukur në minutën e 79-të, i ndihmuar edhe nga një prekje e lehtë e mbrojtësit kundërshtarë. 3 minuta më pas do të vinte një tjetër aksion fantastik i kombëtares sonë, që arrin të shënojë edhe golin e katërt. Memushaj kroson në zonë për Cikalleshin, i cili me të majtën arrin ta dërgojë në rrjetë. /Rozalb Lika-Koha Jone/

LIVE SHQIPERI-ISLANDE 4-2

82’ GOOL Një tjetër aksion fantastik i kombëtares sonë, që arrin të shënojë edhe golin e katërt. Memushaj kroson në zonë për Cikalleshin, i cili me të majtën arrin ta dërgojë në rrjetë

79’ GOOL Shqipëria ka kaluar sërish në avantazh. Odise Roshi i futur në fushë në fraksionin e dytë, arrin që të shënoi një gol të bukur, teksa goditja e tij u devijua nga një mbrojtës dhe më pas shkoi në rrjetë

58’ GOL Një tjetër gabim i mbrojtjes sonë, teksa i sapofuturi në fushë për skuadrën islandeze, Sigthorsson ka shënuar golin e barazimit

52’ GOOL Elseid dhuron spektakël me një aksion shumë të bukur, teksa u ndihmua dhe nga një finte e bukur e Manajt për të shënuar më pas golin e parë me fanellën e kombëtares sonë

47’ GOL Shqipëria e ka nisur në mënyrën më të keqe fraksionin e dytë. Në minutën e parë pasi u futën në fushë, Siguroddson nuk falë brenda zonës, duke arritur që të përfitojë nga përgjumja e mbrojtësve kuqezi.

32’ GOOL Festa më në fund është për kuqezinjtë. Në minutën e 32-të, pas një aksioni të gjatë topi krosohet në shtyllën e dytë për Dermakun, i cili shënon me kokë një gol shumë të bukur

 

12’ Pas një aksioni të gjatë Rey Manaj ka një shans të artë, duke goditur shtyllën dhe më pas topi shkon jashtë