Histori e jashtëzakonshme nga Tirana. Porosia e fundit e një lexuesi: Ktheje librin në bibliotekë

Nuk mjafton që të jesh i pasur apo të kesh një pozitë të rëndësishme për të gëzuar respektin e një komunitetin të tërë. Njerëzit e mëdhenj dallohen edhe në gjestet e tyre të vogla, duke i bërë që të përkujtohen gjithnjë me respekt nga të gjithë. I tillë është edhe Muslli Mene, një prej miqve më besnik të librit dhe frekuentues i përjavshëm i bibliotekës “Hamit Beqaj” në kryeqytet, i cili këto ditë është ndarë nga jeta. Sikurse shihni edhe nga kjo foto, ky ishte libri i fundit që si anëtar i bibliotekës “Hamit Beqaj” tërhoqi e lexoi. Por a e dini se cili ishte gjesti i fundit ndaj librit?

Një ndër porositë që i kishte lënë së shoqes ishte: “Ktheje librin në bibliotekë, mos e harro”. Dhe bashkëshortja ende e lotuar e ktheu për të përmbushur këtë porosi të tijën. Një qytetar i mirë, një lexues i jashtëzakonshëm shkoi, ndërsa gjesti i tij është një mësim i mirë për secilin prej nesh që jo vetëm të mos e ndalim etjen për dije, por dhe të kujdesemi për gjithçka që është pronë publike e përbashkët dhe që i shërben gjithë komunitetit.