“Gënjeshtër e madhe, proces fals”, Tahiri i thotë të gjitha: Pse nuk kam frikë nga dënimi

Është shtyrë për më datë 19 shtator gjyqi në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Tahiri akuzohet tashmë për tre vepra të rënda penale, që kanë të bëjnë me trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Pas seancës maratonë tek Gjykata e Krimeve të Rënda, ish-ministri Saimir Tahiri ka folur para gazetarëve, ndërsa tha se procesi  në emër të tij është fals dhe i gënjeshtërt. Ai tregoi se nuk do të lodhet, por do të përballet me betejen ligjore deri në fund duke besuar se drejtësia do të thotë të vërtetën, e cila sipas tij është në favorin e ish-ministrit.

Por a ka frikë se do të dënohet me burg ish-ministri, Tahiri u shpreh:“Unë besoj ti je lodhur nga tjerrja e këtyre historive. Prokuroria e pretendim këtë  dhe kjo është një gënjeshtër, kjo hidhet poshtë nga Prokuroria italiane, e cila ka sjell mijëra fletë që thotë se këto janë gënjeshtra. Ajo ja jep Prokurorisë dhe kjo e fundit e hedh në publik. Ky është gjyq dhe para gjykatës i detyrohemi të vërtetës. Si  të them unë që këta policië që akuzohen janë marrë me trafik, kur këto policë kanë denoncuar Habilajt në 2016. Ky është një proces fals, është i gënjeshtërt. Nuk i shkoj fare historitë nëse do të dënohem , këto janë hipoteza as s’i marrë parasysh dhe nuk i konsideroj. Unë besoj tek e vërteta ime dhe e shtjellova në gjykatë. Unë besoj kaq shumë tek drejtësia dhe nuk më shkon fare mendja.

Nuk kam asnjë kod dhe përtoj të merrem me kode. Unë përtoj edhe të gënjej. Nuk më bën syri terr. Akuzohem se kam paguar hotelin  1 mijë ero nata dhe këtë e provoj me letër porositë e ardhura nga BE. Nuk kam pasur shpenzime maramendëse.  Maksimumin që kam paguar për një natë ka qenë 140 euro, por ishte prapë për të thënë se drejtësia ka mundësi të flasë më fort se sa dyshimet që janë hedhur në publik. Do kem kohë në vazhdim, që të vërtetën time t’ia them çdo qytetari në vesh dhe nuk do të lodhem”-tha Tahiri.

Tahiri edhe njëherë ka hedhur poshtë akuzat. Ai tha se akuzat janë pa prova dhe të stisura nga Prokuroria. Tahiri u shpreh se policët që sot akuzohen bashkë me të nuk kanë punuar as në polici kur është bërë trafiku i drogës dhe se ata policë kanë denoncuar Habilajt për trafikun.

“Unë akuzohem që jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal përb trafik droge bashkë me disa policë, që nuk kanë qenë as me detyrë në Vlorë gjatë kohës që është bërë trafikimi i lëndës narkotike. Ky procedim penal është nisur nga policë në varësi timen. Ata denoncuan Habilajt. Ato që thotë Prokuroria shqiptare janë gënjeshtra dhe antimafia italiane i ka hedhur poshtë”, tha Tahiri.

Saimir Tahiri shtoi se ka lanë mandatin e deputetit, që të përballet me drejtësinë si qytetar i thjeshtë.

“Ju e dëgjuat dhe unë jo pak shkak kam ndenjur në heshtje këto 2 vjet. Kam dashur të respektoj drejtësinë deri në fund. Jo pak shkak kam dhënë dorëheqje nga mandati i deputetit, që të përballem me drejtësinë si qytetar. Kam refuzuar që të përgjigjem ndaj akuzave të Prokurorisë, duke mbajtur gjithë baltën në kurriz, duke shpresuar se e vërteta do dalë në dritë.”, deklaroi Tahiri.

Në deklaratën për mediat tha se akuzat janë të stisura dhe se do i shkojë deri në fund luftës për drejtësi. Ish-numri një i Ministrisë së Brendshme theksoi se ke politikanë që kanë vrarë njerëz dhe kanë vjedhur miliona e sot janë në majë të politikës.

“Kam pritur dy vjet. Do pres edhe datën 19 që gjykata të japë vendim. Unë do merrem me drejtësinë, kjo është betejë. Në këtë vend ka deputetë që kanë vrarë njerëz dhe nuk kanë shkuar as në Prokurori, kurse unë kam dhënë dorëheqje si deputet. Ata që i fshehën drejtësisë, sot janë në politikë. Mua më intereson drejtësia dhe liria. Unë dua të jem i lirë.

Praktika ka treguar se sot i ke në krye ata që kanë akuza për vrasje njerëzish dhe për vjedhje stratosferike. Unë nuk po mendoj për këtë, por për drejtësinë time”, tha Tahiri.