Bylykbashi: Në lojën e turpshme për të kapur të gjitha pushtetet duke shkarkuar Presidentin

Delegacioni i Komisionit të Venecias, ka nisur takimet e parashikuara në agjendën e caktuar më parë gjatë misionit të tij në Tiranë. Mëngjesin e së martës, delegacioni i Venecias u takua me përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Klajda Gjosha në një nga hotelet e kryeqytetit. Pas takimit ish-deputeti Bylykbashi deklaroi për mediat se Kushtetuta e thotë mjaft qartë se kush e shkarkon Presidentin dhe se parlamenti kërkon që të fusë në këtë lojë të turpshme dhe institucionet ndërkombëtare. Sipas Bylykbashit, Presidenti Ilir Meta me dekretet e tij u përpoq të ruajë unitetin dhe pluralizmin në Shqipëri.

 

Deklarata e plotë e Bylykbashit

Komisioni i Venecias ka ardhur këtu me ftesë të Kuvendit për të dhënë një opinion në lidhje me procedurën e turpshme për shkarkimin e Presidentit të Republikës që Parlamenti ka nisur. Ne ua bëmë të qartë se kjo është një përpjekje e qeverisë që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, në themelet e një krize kaq të madhe, Parlamenti përpiqet që të tërheqë Komisionin e Venecias dhe Këshillit të Europës në lojën e tij të turpshme për të kapur të gjitha pushtetet, përfshirë Presdentin e Republikës.

Kushtetuta është e qartë. Presidenti i Republikës shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, nëse ka shkelur rëndë Kushtetutën. Presidenti i Republikës është përpjekur të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, unitetin e popullit dhe pluralizmin politik në Shqipëri dhe kjo është një nga detyrat fisnike që ka luajtur në këtë rast Presidenti i Republikës. Presidenti i Republikës u dha garancinë zgjedhësve shqiptarë që zgjedhjet të bëheshin në një moment të dytë, në kushte më të mira.

Parlamenti përpiqet që të shkarkojë Presidentin dhe në këtë lojë të turpshme përpiqet të bëjë palë institucionet ndërkombëtare, të cilat janë shumë të qarta në lidhje me këtë.

Pyetje: Jua ka shprehur delegacioni i Komisionit të Venecias këtë?

Të qëndrojmë jashtë bisedave tona specifike. Ne bëmë të qartë aspektin politik. Arsyet përse kemi ardhur në këtë situatë, të cilat tashmë nuk kanë nevojë të parashikohen prej nesh. Raporti i OSBE-ODHIR është lajmërimi i vdekjes së zgjedhjeve në Shqipëri. Praktikisht vërtetoi se zgjedhjet në Shqipëri kanë vdekur, atë gjë Presidenti i Republikës e përmend në mënyrë të qartë në arsyet që ai parashikonte se përse 30 Qershori nuk mund të kishte zgjedhje dhe për këtë arsye duheshin më 13 tetor.