Avokati: Tahiri e shkroi vetë mbrojtjen, pretencën e dinim prej muajsh

Avokati i ish-ministrit të Brendshëm, Maks Haxhia, tha se e gjithë mbrojtja sot në gjykatën e Krimeve të Rënda ishte bërë nga vetë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ai e quajti një mbrojtje brilante dhe prova përballë të cilave prokuroria nëse do të kishte dinjitet, siç u shpreh avokati, do të duhej ta pushonte çështjen në moment.

“Mbrojtja e Saimir Tahirit ishte brilante dhe ishte individuale, e ka shkruar vetë ai pjesën e tij. Gjej rastin të vlerësoj gjithë përkushtimin që ai ka bërë në njohjen e procesit dhe sjelljen e provave të reja që e vënë në mungesë totale prokurorinë përballë provave. E kam dëgjuar para 7-8 muajsh që do kërkojë prokuroria 12 vjet. Ky është një proces i paramenduar dhe paravlerësuar. Unë nxjerr konkluzionin nga mënyra e sjelljes. Materialet e Italisë janë gjykuar në Itali, janë organe të specializuara jo të korruptuara. Duke qenë e gjykuar gjykata shqiptare gjithë materialet e Italisë duhej t’i kishte hequr. Prokuroria ka sjellë gjithë materialet e Italisë që ato janë gjykuar, dhe autoritetet italiane kanë vendosur pushimin e çështjes në ngarkim të Tahirit. Edhe kur ju drejtua parlamentit tha që bazë kemi vetëm materialet italiane, por Italia e pushoi çështjen ndërsa në Shqipëri e lidhën me 2 oficerët e policisë për ta vënë zotin Tahiri para përgjegjësisë penale”.

Prova më e fortë që sipas tij Tahiri paraqiti para togave të zeza, ishte një e-mail që Gjergji Kohila, zyrtar policie në Vlorë, i kishte dërguar në vitin 2016, prokurorit Dritan Prenci, pikërisht një nga prokurorët që sot kërkuan 12 vite burg për ish-ministrin, ku i raportonte për Mojsi Habilajn dhe referimet që duheshin bërë për dyshimet për trafik droge. “Të gjitha materialet e prokurorisë ishin copy-paste dhe jo të bëra mirë, prokuroria po të kishte pak dinjitet do të pushonte hetimin. Gjergj Kohila i ka dërguar e-mail prokurorit që ishte në seancë për Mojsi Habilajn. E-mail ja ka dërguar para tre vjetësh””.